Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria synon që brenda katër vjetësh të zëvendësojë një miliard euro importe me prodhime vendore, përmes Agjendës Një Miliard Euro, në bashkëpunim me Data4X.
Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se Kosova vazhdon të importojë shumë produkte që mund të prodhohen brenda vendit, ndërsa ka theksuar se po punohet për ndryshimin e kësaj gjendjeje.
Sipas tij, zëvendësimi i importeve me prodhim vendor do të ndikonte në hapjen e fabrikave të reja, krijimin e vendeve të punës, rritjen e prezencës së produkteve vendore në treg dhe shtimin e eksporteve.
Kurti ka theksuar se kjo agjendë nuk përbën proteksionizëm, pasi tregjet do të mbeten të hapura dhe kompanitë vendore do të vazhdojnë të konkurrojnë.
Ai e ka cilësuar këtë iniciativë si agjendë zhvillimore, të ndërtuar mbi të dhëna, duke shtuar se në kushtet e ndryshimeve gjeostrategjike dhe sfidave në zinxhirët e furnizimit, rritja e prodhimit vendor është e rëndësishme edhe për vetëqëndrueshmërinë, pavarësinë dhe sigurinë e vendit.
Kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se rruga për realizimin e kësaj agjende ishte në qendër të diskutimeve në edicionin e tretë të konferencës “The Future of Business”, me temën “Nga mundësitë tek investimet”, ku mori pjesë mbrëmjen e kaluar.









