TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Kurti në Samitin e Liderëve në Tiranë: Kosova meriton statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

by Tëvë1
11 minuta ago
0
A A
Kurti në Samitin e Liderëve në Tiranë: Kosova meriton statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Samitin e Liderëve, të organizuar në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në Tiranë, ku ka kërkuar avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka folur për zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë në rajon, për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, bashkëpunimin rajonal, projektet infrastrukturore dhe energjetike, si dhe për nevojën e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në fillim të adresimit të tij, Kurti ka shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në Tiranë, duke falënderuar kryeministrin shqiptar për organizimin e samitit.

“Jam shumë i lumtur të kthehem sërish në Tiranë. Ju falënderoj, zoti Kryeministër, që po e mirëprisni këtë samit këtu për herë të tretë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka paralajmëruar për shtimin e kërcënimeve hibride të Rusisë në Evropë, duke vlerësuar se lufta në Ukrainë dhe zhvillimet e sigurisë kanë ndikuar edhe në mënyrën se si duhet të shihet integrimi ekonomik ndërmjet vendeve.

“Gati pesë vjet pas agresionit të plotë të Rusisë kundër Ukrainës, lufta e saj hibride po shtohet anembanë Evropës. Është një fushatë asimetrike presioni në shumë fronte, që e kthen në armë edhe infrastrukturën që na lidh. Kjo e ka bërë integrimin ekonomik çështje sigurie”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, ndërvarësia ekonomike, e cila fillimisht ishte menduar si instrument për ruajtjen e paqes, mund të shndërrohet në mjet presioni politik kur përdoret nga shtetet autoritare.

“Ndërvarësia ishte menduar t’i shërbejë paqes, por në duart e autokracive është bërë mjet shantazhi politik. Ajo është e sigurt vetëm mes partnerëve që ndajnë të njëjtat vlera. Me Kosovën, ajo është padyshim e sigurt”, ka deklaruar kryeministri.

Një pjesë të rëndësishme të fjalimit, kryeministri ia ka kushtuar përparimit demokratik të Kosovës, duke iu referuar raporteve dhe indekseve ndërkombëtare.

Ai ka përmendur organizatat Freedom House dhe World Justice Project, si dhe të dhënat e Gallup-it, për të argumentuar se Kosova ka shënuar përparim në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe sigurisë.

“Demokracia është burimi i fuqisë sonë. Indekset e pavarura, mes tyre Freedom House dhe World Justice Project, dëshmojnë se kemi ndër përparimet më të mëdha demokratike në rajon, ndërsa Gallup na rendit të pestët në Evropë për rend dhe ligj, në nivel me Danimarkën dhe Finlandën”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se zhvillimi ekonomik i Kosovës është i lidhur ngushtë me vlerat demokratike dhe angazhimin për forcimin e institucioneve.

“Forcën tonë e vëmë në shërbim të vlerave evropiane, prandaj edhe zhvillimi ynë është më i qëndrueshëm”, është shprehur ai.

Duke paraqitur të dhënat ekonomike, Kurti ka bërë të ditur se rritja ekonomike në gjysmën e parë të këtij viti ka arritur në 4.7 për qind, ndërsa investimet private gjatë vitit 2025 kanë qenë 77 për qind më të larta krahasuar me vitin 2021.

Ai ka theksuar gjithashtu se papunësia ka rënë nga 26 për qind në 11 për qind.

Në vazhdim të fjalimit, Kurti ka folur për mundësitë që Kosova mund të ofrojë në procesin e zhvendosjes së prodhimit drejt Evropës Juglindore.

Ai ka përmendur fuqinë punëtore të re, inovacionin, eksportet e teknologjisë informative, energjinë e ripërtëritshme, rezervat minerare dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

“Evropa po i rishpërndan forcat dhe burimet e saj, duke e sjellë prodhimin më afër vetes dhe më afër miqve. Kosova dëshiron të jetë pjesë e këtij procesi, sepse hapi i radhës duhet të jetë zhvendosja e prodhimit drejt Evropës Juglindore”, ka deklaruar ai.

Kurti ka theksuar se Kosova ka potencial për të kontribuar në këtë proces, duke përmendur edhe eksportet e teknologjisë informative dhe të komunikimit, të cilat, sipas tij, janë pesëfishuar brenda katër vjetësh.

“Kemi shumë për të ofruar: talent dhe inovacion, me popullsinë më të re në kontinent dhe me eksporte të TIK-ut që janë pesëfishuar në katër vjet”, ka thënë kryeministri.

Ai ka përmendur gjithashtu projektet hekurudhore që synojnë lidhjen më të mirë të rajonit me Korridoret 8 dhe 10 përmes Kosovës, si dhe kapacitetet e reja energjetike nga dielli dhe era.

Në fjalimin e tij, Kurti ka folur edhe për potencialin minerar të vendit dhe ndërtimin e kapaciteteve të para të industrisë së mbrojtjes.

“Me mbrojtje, me fabrikën tonë të parë të municionit në ndërtim e sipër, ndërsa së shpejti vijnë edhe dronët. Le të jetë kjo një ftesë për Bashkimin Evropian, e përmes tij edhe për bizneset evropiane, që të investojnë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Duke folur për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Kurti ka bërë të ditur se Kosova ka marrë 61.8 milionë euro si këst të parë të parafinancimit për Agjendën e Reformave.

Ai ka njoftuar se vendi ka kërkuar edhe 153 milionë euro të tjera, në bazë të 20 hapave të reformave që, sipas tij, janë përmbushur.

Kurti ka pranuar se periudha me zgjedhje të përsëritura ka ndikuar në ngadalësimin e reformave, por ka thënë se tashmë ato janë përshpejtuar.

“Gjatë gati dy vjetëve me zgjedhje të përsëritura, ritmi i reformave u ngadalësua. Me zgjedhjen e Presidentes së re më 6 tetor, institucionet tona janë plotësisht funksionale për vitet që vijnë dhe reformat i kemi përshpejtuar”, ka deklaruar ai.

Kryeministri ka theksuar se reformat në drejtësi, arsim dhe administratë publike nuk janë vetëm kërkesa që lidhen me integrimin evropian, por edhe nevoja të brendshme të shtetit.

“Reformat tona në drejtësi, arsim dhe administratë publike, ndër të tjera, janë po aq kombëtare sa edhe evropiane. I zbatojmë me bindje, si akt patriotizmi demokratik për shtetin dhe qytetarët tanë”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se Qeveria synon t’i përfundojë të gjitha reformat, përfshirë edhe ato për të cilat Kosova ka humbur fondet për shkak të vonesave.

“Do t’i përfundojmë të gjitha, edhe ato për të cilat i humbëm fondet për shkak të vonesave”, ka theksuar ai.

Në vazhdim, kryeministri ka paraqitur një sërë zhvillimesh që lidhen me integrimin gradual të Kosovës në mekanizmat evropianë.

Ai ka përmendur përfshirjen e pikave kufitare Hani i Elezit–Bllacë dhe Vërmicë–Morinë në Korridoret e Gjelbra, duke vlerësuar se modernizimi i tyre do ta lehtësojë qarkullimin e mallrave dhe tregtinë rajonale.

“Që nga maji, falë kontrolleve para mbërritjes së mallit dhe punës gjatë gjithë kohës në kufijtë tanë, koha mesatare e zhdoganimit është shkurtuar për dy të tretat, nga gati njëmbëdhjetë orë në rreth tri orë e gjysmë”, ka bërë të ditur Kurti.

Ai ka folur edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

“Këtë muaj, Banka jonë Qendrore dorëzoi aplikimin zyrtar për anëtarësim në SEPA dhe lansoi pagesat e menjëhershme, të ndërtuara mbi sistemin TARGET Instant Payment Settlement (TIPS)”, ka deklaruar ai.

Sipas Kurtit, pagesat janë një prej elementeve themelore të Tregut të Vetëm Evropian.

“Pagesat janë infrastruktura bazë e Tregut të Vetëm, dhe sistemi ynë tani funksionon me teknologjinë e vetë Eurosistemit”, ka thënë kryeministri.

Në mesin e zhvillimeve të tjera, ai ka përmendur lansimin e identitetit, kuletës dhe nënshkrimit elektronik, të ndërtuara sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

“Kemi rënë dakord me Malin e Zi për njohje të ndërsjellë dhe kërkojmë që portofoli ynë digjital të njihet në gjithë Bashkimin, ku jeton një pjesë e madhe e diasporës sonë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe projektin WiFi4WB, përmes të cilit interneti falas tashmë mbulon 33 komunat e përzgjedhura, si dhe negociatat me Bashkimin Evropian për roaming-un.

Kurti ka kërkuar që Kosovës t’i mundësohet përfshirja në mekanizmat evropianë që përcaktojnë standardet e produkteve dhe shërbimeve.

Ai ka përmendur Komitetin Evropian për Standardizim (CEN), Komitetin Evropian për Standardizim Elektroteknik (CENELEC) dhe Marrëveshjen Shumëpalëshe të Bashkëpunimit Evropian për Akreditim (EA MLA).

“Meqë i kemi përvetësuar rregullat e Bashkimit, kërkojmë të kemi vend në organet që i vendosin standardet e tij, që produktet e testuara në Kosovë të pranohen në gjithë Bashkimin”, ka thënë ai.

Kryeministri ka kërkuar gjithashtu avancimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, duke thënë se ky proces ka mbetur i bllokuar që nga viti 2015.

“Duam gjithashtu t’i bashkohemi Konventës për Tranzitin e Përbashkët, me të cilën mallrat kalojnë kufijtë me një deklaratë të vetme doganore, por aplikimi ynë ka mbetur i bllokuar që nga viti 2015”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe Fabrikat Evropiane të Inteligjencës Artificiale, duke theksuar se Kosova ende nuk është përfshirë në këtë iniciativë.

Duke folur për Tregun e Përbashkët Rajonal, Kurti ka kritikuar Serbinë për mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe për pengesat që, sipas tij, vazhdojnë ta vështirësojnë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit.

“Bashkimi Evropian, projekti më i suksesshëm shumëpalësh, u ndërtua mbi katër liritë, dhe bashkëpunimi ynë rajonal duhet t’u shërbejë qytetarëve përmes po këtyre lirive”, ka deklaruar ai.

Kurti ka theksuar se Kosova i ka ratifikuar të pesë marrëveshjet e mobilitetit, ndërsa Serbia ende nuk i njeh diplomat.

“Për vite me radhë, ultranacionalizmi autoritar në Beograd e pengoi bashkëpunimin në rajonin tonë”, ka thënë kryeministri.

Ai ka përmendur edhe zhvillimet politike në Serbi, duke shprehur shpresën se lëvizja studentore dhe ndryshimet politike mund të hapin rrugë për një qasje të re ndaj bashkëpunimit rajonal.

“Tani mund të hapet rruga për një kthesë morale, me një qeveri të re që po lind nga një lëvizje studentore, e cila e di se forca e një shoqërie të hapur qëndron te mundësitë që ajo ofron”, ka deklaruar Kurti.

Sa i përket lirisë së lëvizjes, ai ka thënë se Kosova ka ndërmarrë hapa konkretë për lehtësimin e hyrjes së qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës.

“Që nga 1 janari 2025, qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës hyjnë në Kosovë vetëm me letërnjoftim, dhe hyrjet e tyre janë rritur dymbëdhjetëfish, por Bosnja e Hercegovina ende nuk e ka bërë të njëjtën gjë për qytetarët tanë”, ka deklaruar ai.

Në lidhje me CEFTA-n, Kurti ka theksuar se Kosova ka ratifikuar tri protokolle shtesë për heqjen e pengesave në tregti, por disa vendime të rëndësishme ende nuk janë zbatuar.

“Heqja e këtyre pengesave do ta lironte potencialin tregtar të rajonit, do t’u shtonte ekonomive tona një të dhjetën dhe do ta zgjeronte tregun evropian”, ka thënë kryeministri.

Ai ka kërkuar nga Komisioni Evropian që zbatimi i marrëveshjeve rajonale të lidhet edhe me përfitimet financiare nga fondet e BE-së.

“Sa më shumë që një partner zbaton atë që është dakorduar në rajon, aq më shumë duhet të përfitojë”, ka deklaruar Kurti.

Në pjesën e fundit të adresimit, Kurti ka folur për rëndësinë e projekteve infrastrukturore dhe energjetike, duke theksuar nevojën për lidhshmëri më të madhe ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Hekurudha është jetike për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë, dhe, siç e ka treguar Ukraina, është mjeti më rezistent i transportit, madje edhe në luftë”, ka deklaruar ai.

Kryeministri ka kërkuar që projektet hekurudhore të Kosovës, përfshirë linjën Prishtinë–Durrës, të integrohen plotësisht në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit.

Ai ka theksuar se siguria energjetike është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë ekonomike dhe kombëtare.

“Siguria energjetike është njëkohësisht siguri ekonomike dhe siguri kombëtare”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, duke folur për interkoneksionin elektrik Kosovë–Serbi, ai ka akuzuar Serbinë për bllokimin e këtij procesi.

“Serbia, megjithatë, vazhdon ta bllokojë interkoneksionin elektrik Kosovë–Serbi, në kundërshtim me detyrimet e saj sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe duke sfiduar hapur afatin e 1 korrikut të këtij viti, të vendosur nga Këshilli Ministror”, ka deklaruar kryeministri.

Ai ka vlerësuar se kjo situatë po e dëmton integrimin e tregut energjetik jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.

“Kjo e dëmton integrimin e tregut për Kosovën dhe për gjithë rajonin. Rregullat që vlejnë për ne duhet të vlejnë për të gjithë, dhe i bëj thirrje Komisionit të kujdeset për këtë”, ka thënë Kurti.

Në përfundim të fjalimit, kryeministri ka kërkuar që Bashkimi Evropian të përshpejtojë procesin e integrimit të Kosovës, duke e cilësuar zgjerimin si një mundësi për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Rusia është në kërkim të çarjeve. Momentin për zgjerim duhet ta shfrytëzojmë për t’i mbyllur ato në Ballkan, i vetmi gadishull jugor i Evropës që ende nuk është plotësisht në Bashkim, e posaçërisht në Kosovë, i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka statusin e kandidatit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se procesi i zgjerimit duhet të mbështetet në meritë dhe se Kosova duhet të ketë mundësinë të vlerësohet për përparimin e saj.

“Një proces i bazuar në meritë duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, historia e suksesit tonë demokratik rrezikon të kthehet në histori të një mundësie të humbur”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe besimi i tyre në këtë institucion janë ndër më të lartat në rajon.

“Mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësim dhe besimi i tyre te Bashkimi janë të dyja ndër më të lartat në rajon. Në emër të tyre, këtë kërkesë e bëj sa herë që takohemi”, ka deklaruar kryeministri.

Në fund, ai ka përsëritur kërkesën që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Tani është urgjente: statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave për anëtarësim, një hap që Kosova e ka merituar”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur edhe katërvjetorin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, duke kërkuar që Këshilli i Bashkimit Evropian të ndërmarrë hapin e radhës.

“Muajin e ardhshëm mbushen katër vjet që kur aplikuam, dhe Këshilli duhet më në fund t’i kërkojë Komisionit opinionin e tij”, ka përfunduar Kurti.

Fjalimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti në Samitin e Liderëve në Tiranë është publikuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Tags: albin kurtiEdi RamaPlanit të Rritjes për Ballkanin PerëndimorSamitin e LiderëveTeve1Tirane
ShareTweet

Postime të ngjashme

Borë e shi, parashikimi i motit për nesër

Fundjavë me borë në Kosovë

Bajqinovci kritikon KFOR-in për takimin me përfaqësuesit ushtarakë serbë

Bajqinovci kritikon KFOR-in për takimin me përfaqësuesit ushtarakë serbë

Lajm i mirë për kosovarët në Itali, nga 1 janari 2027 lehtësohet konvertimi i patentë-shoferëve

Lajm i mirë për kosovarët në Itali, nga 1 janari 2027 lehtësohet konvertimi i patentë-shoferëve

Në shtëpinë e Sabit Gecit në Llaushë vendoset pllaka përkujtimore për UÇK-në

Në shtëpinë e Sabit Gecit në Llaushë vendoset pllaka përkujtimore për UÇK-në

Borë e shi, parashikimi i motit për nesër

Fundjavë me borë në Kosovë

Kurti në Samitin e Liderëve në Tiranë: Kosova meriton statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Kurti në Samitin e Liderëve në Tiranë: Kosova meriton statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Bajqinovci kritikon KFOR-in për takimin me përfaqësuesit ushtarakë serbë

Bajqinovci kritikon KFOR-in për takimin me përfaqësuesit ushtarakë serbë

Lajm i mirë për kosovarët në Itali, nga 1 janari 2027 lehtësohet konvertimi i patentë-shoferëve

Lajm i mirë për kosovarët në Itali, nga 1 janari 2027 lehtësohet konvertimi i patentë-shoferëve

Në shtëpinë e Sabit Gecit në Llaushë vendoset pllaka përkujtimore për UÇK-në

Në shtëpinë e Sabit Gecit në Llaushë vendoset pllaka përkujtimore për UÇK-në

Aleanca bën homazhe në Prekaz në prag të 28 Nëntorit

Aleanca bën homazhe në Prekaz në prag të 28 Nëntorit

Kreu i Listës së Studentëve paralajmëron arrestime të reja në Serbi: Arrestimi i pronarit të Informer-it është vetëm fillimi

​Arrestohet zyrtari i Postës në Rahovec, dyshohet se përvetësoi mbi 10 mijë euro

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën