Në prag të shënimit të 29-vjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në shtëpinë e ish-komandantit Sabit Geci, në Llaushë të Skenderajt, është zbuluar një pllakë përkujtimore, në nderim të ngjarjeve historike të 28 Nëntorit 1997.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të politikës dhe qytetarë të shumtë, ndër ta kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe deputeti i LDK-së, Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Përmes një postimi në Facebook, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se pjesëmarrja në këtë ceremoni dhe zbulimi i pllakës përkujtimore përbëjnë një nderim për historinë dhe sakrificën e luftëtarëve të lirisë.
Haradinaj ka rikujtuar gjithashtu se më 28 nëntor 1997, në Llaushë, Muja, Rexha dhe Dauti bënë paraqitjen publike të UÇK-së, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e luftës për lirinë e Kosovës.
Në fund të mesazhit të tij, Haradinaj ka shprehur nderimin për dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në çlirimin e Kosovës.







