Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin kroat të Veteranëve, Tomo Medved.
Përmes një postimi në facebook, Hoti ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të luftës, mbrojtjen e trashëgimisë historike, të drejtat e kategorive të luftës dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Hoti i është kushtuar modelit kroat të memorializimit, përfshirë Qendrën Memoriale të Vukovarit, si përvojë që mund t’i shërbejë Kosovës në dokumentimin dhe promovimin e historisë së luftës çlirimtare.
Gjatë takimit, Hoti ka përkujtuar edhe Xhelal Hajdën – Tonin dhe Selajdin Mullabazin – Micin, nga Rahoveci, të cilët fillimisht kontribuuan në luftën për çlirimin e Kroacisë dhe më pas ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës.
Ai ka falënderuar ministrin Medved për respektin që shteti kroat vazhdon të tregojë ndaj tyre dhe familjeve të tyre.
Një nga temat e diskutimit ishte edhe çështja e personave të zhdukur, me ç’rast, sipas Hotit, është arritur dakordim për konkretizimin e bashkëpunimit përmes një marrëveshjeje ndërmjet ministrive përkatëse të të dy shteteve.









