Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar Japoninë për vendimin e hapjes së ambasadës në Kosovë.
Ai këtë ja ka shprehur ambasadorit të ri të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi.
“Si një partner strategjik afatgjatë në rajon e i rajonit, Kryeministri Kurti falënderoi Japoninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për vendimin për të hapur ambasadën e saj në Kosovë. Ambasadorit Mizuuchi, i uroi mirëseardhje në Kosovë dhe i ofroi bashkëpunim të afërt të Zyrës së Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Në këtë takim të parë, sipas komunikatës u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, me theks te ato në rrafshin ekonomik. Kryeministri Kurti e njoftoi ambasadorin për përparimet e shënuara në dy vitet e fundit dhe për mundësitë dhe kushtet që Kosova ofron për investitorët e huaj.
Ambasadori Mizuuchi, i cili kishte vizituar Kosovën 15 vite më parë, u shpreh falënderues për mikpritjen.
Ai tha se Japonia dhe Kosova ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta. Gjithashtu shprehu vlerësimin e tij pozitiv për qëndrimet e Kosovës në mbështetje të Ukrainës përballë agresionit rus./teve1.info/