Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq sot do të kenë takime bilaterale me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell dhe emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
BE ka njoftuar se Borrell dhe emisari Lajçak do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës që nga ora 9:00, të cilët do të pasohen nga një takim i përbashkët trepalësh.
“Takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Më pas Borrll do të ketë një konferencë të përbashkët për media.
Dy ditë para takimit Kurti ka zhvilluar bisedë telefonike me emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Peach, raporton teve1.info
Sipas një komunikate për medie të Qeverisë së Kosovës, në këtë bisedë, emisari Peach, i ka kërkuar Kurtit para takimit të 14 shtatorit zbatimin e shpejt, të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të dakorduar në Ohër.
“Folën për çështjet aktuale, duke përfshirë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut me 14 shtator në Bruksel. U theksua nevoja për zbatimin e shpejt, të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër. Ata po ashtu folën edhe për situatën politike dhe të sigurisë në rajon.
Kurti po ashtu ka njoftuar të hënën mbrëma se ka zhvilluar një bisedë telefonike me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku kanë folur për rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të saj.
Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka bërë të ditur se në këtë bisedë e ka konfirmuar gatishmërinë e Kosovës për t’u angazhuar në negociata aktive gjatë takimit të së enjtes në Bruksel.
“Kisha një telefonatë me StateDeptDAS Escobar. Diskutuam rëndësinë e sigurimit të zbatimit të qetë dhe të shpejtë të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të saj. Konfirmova gatishmërinë time për t’u angazhuar në negociata aktive gjatë takimit të dialogut në Bruksel dhe e falënderova për mbështetjen e SHBA-së”, thuhet në postimin e Kurtit.
Njëherit, Kurti ka falënderuar ShBA-në për mbështetjen e dhënë.
Ndryshe, Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës.
Pas shpërthimit të tensioneve në veri të vendit, s’janë mbajtur takime të nivelit të lartë, përveç atyre të nivelit teknik.