Në ceremoninë e hapjes së këtij Manifestimit, kryeministri Albin Kurti, ndezi simbolikisht flakadanin, së bashku me kryetarin Hyseni, për të ndriçuar qytetin e Gjilanit me simbolikën e flakës, si sinonim i sakrificës së dëshmorëve të të gjithë brezave.
“Kryeminstri Kurti, paraprakisht, në shenjë nderimi e respekti për ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre për lirinë e Kosovës, jetët e tyre, ka vizituar disa familje të dëshmorëve në Gjilan.Në hapje të ceremonisë zyrtare në platonë e ish-Galerisë së Qytetit në Gjilan, paraprakisht, Kori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, me intonimin e Himnit të Flamurit dhe prezantimin e disa pikave artistike, ka paralajmëruar e zyrtarizuar hapjen e edicionit të 32-këtij manifestimi”, thuhet në njoftim.
Përveç kryeministrit edhe kryetari i kësaj komune e ka cilësuar si tejet të rëndësishme këtë ngjarje për qytetin e Gjilanit në nderim e kujtim të dëshmorëve përmes veprave artistike.
“Është nderë dhe kënaqësi për shkak se përmes Manifestimit “Flaka e Janarit”, Gjilani jo vetëm që shënon kulmin e mbledhjes së artistëve dhe artdashësve nga të gjitha viset e trojet shqiptare, por edhe përkujton të rënët për liri dhe ata që kanë sakrifikuar dhe jetët e tyre për ditët që ne i gëzojmë sot.Tani në prezencë edhe të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili me prezencën e tij nderon Gjilanin, por edhe të rënët për liri – do të bëjmë ndezjen e flakadanit që shënon pra edhe fillimin e “Flakës së Janarit 2023”, e që do të zgjasë dhe karakterizohet me aktivitete të ndryshme deri më 31 janar, tha Hyseni.
Bëhet e ditur se flakadanët do të qëndrojnë 20 ditë me radhë, si simbolikë nderimi e dedikimi për jetën dhe veprat e dëshmorëve të kombit.
“Manifestimi “Flaka e Janarit 2023”, ndryshe nga herët tjera, këtë edicion mëton të sjellë vepra të reja nga krijimtaria artistike kombëtare të realizuara gjithandej hapësirës shqiptare, ndërsa strukturalisht është ideuar në kuadër të kornizave tradicionale, duke i qëndruar besnike strukturës së saj në shtylla përkatëse, arte pamore, muzikore, skenike e letrare, por me ca modifikime që mëtohet të begatojnë e plotësojnë akoma më shumë mozaikun e prurjeve artistike nga artistë e krijues shqiptarë”, thuhet tutje./teve1.info./





