Ilir Kulla, në emisionin “Matrix”, në moderimin e Mehmet Kalisit, ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe Ballkanit, rolin e shtetit izraelit në rajon, si dhe raportet mes Kosovës dhe Izraelit gjatë pesë viteve të fundit.
Gjatë diskutimit, Kulla është ndalur te rëndësia e njohjes së Kosovës nga Izraeli, e cila erdhi në kuadër të marrëveshjes së arritur në vitin 2020, me ndërmjetësimin e administratës së presidentit amerikan Donald Trump.
Ai ka vlerësuar se ky vendim kishte rëndësi të veçantë për Kosovën dhe i hapi asaj mundësi të reja në arenën ndërkombëtare.
“Që të mos i ngatërrojmë politikisht marrëdhëniet, Izraeli ka bërë një lëvizje jashtëzakonisht të fortë, me ndërmjetësimin e presidentit Trump, kur vendosi ta njohë Kosovën. Sigurisht, ajo ishte një marrëveshje e rëndësishme që Kosovës i hapi disa dyer shumë të rëndësishme”, ka deklaruar Kulla.
Ai ka përmendur edhe vendimin e Kosovës për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe hapjen e ambasadës në këtë qytet, duke e cilësuar këtë si përgjigje të rëndësishme diplomatike nga ana e Kosovës.
“Dhe Kosova e ktheu këtë me njohjen e Jerusalemit si kryeqytet dhe hapjen e ambasadës në Jerusalem”, është shprehur ai.
Sipas Kullës, ky zhvillim pati pasoja të rëndësishme për diplomacinë serbe dhe politikën e presidentit Aleksandar Vuçiq.
“Njëherësh duhet të konsiderojmë se kjo ishte goditja më e madhe për politikën dhe diplomacinë e Vuçiqit dhe të Serbisë. Ishte një goditje shumë e madhe, sepse u detyruan t’i fusin të dyja këmbët në një këpucë”, ka thënë Kulla.
Duke folur për marrëdhëniet e Izraelit me Serbinë, ai ka theksuar se bashkëpunimi ekonomik, tregtar apo ushtarak ndërmjet këtyre dy shteteve nuk duhet të interpretohet automatikisht si qëndrim kundër Kosovës.
“Partneriteti ekonomik, tregtar apo edhe ushtarak që Izraeli ka me Serbinë nuk duhet të shihet si një qëndrim antikosovë. Përkundrazi, Kosova duhet të marrë shembull nga mënyra se si është ndërtuar shteti i Izraelit nga brenda, për sa i përket bujqësisë, industrisë dhe mënyrës se si e zhvillon diplomacinë”, ka deklaruar ai.
Kulla ka theksuar se Kosova dhe Izraeli kanë ngjashmëri të rëndësishme, veçanërisht sa i përket pozitës së tyre ndërkombëtare dhe sfidave me njohjen nga një pjesë e vendeve të botës.
“Sepse Kosova dhe Izraeli janë shumë të ngjashëm në këtë pikëpamje. Një pjesë e vendeve të botës nuk na njohin dhe duhet të mësojmë nga njëri-tjetri, të krahasojmë përvojat dhe të zhvillojmë bashkëpunimin në këtë drejtim”, është shprehur Kulla.
Ai ka pranuar se zhvillimet e fundit në Gaza e kanë bërë më të ndërlikuar bashkëpunimin dhe perceptimin ndërkombëtar ndaj Izraelit, por ka theksuar se kjo nuk duhet ta ndryshojë orientimin strategjik të Kosovës.
“Nuk është e lehtë, sidomos pas ngjarjeve të fundit në Gaza, por në një gjë Kosova është definitivisht e qartë dhe e vendosur: në anën dhe partneritetin me Izraelin, si një çelës suksesi për politikën e saj properëndimore dhe aleancën që ka me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Kulla.




