Duke folur për takimin e 27 shkurtit në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi tha se Kurti është në gjendje të japë çfarëdo nënshkrimi vetëm për të qëndruar në pushtet.
Njëherit, Krasniqi tha se do kërkonin nga Kurti që të ketë njohje përfundimtare, e jo vetëm njohje bazë ashtu siç ka pretenduar ai.
“Ne si LDK e kemi përkrahur kryeministrin Kurti në raport me dialogun, por gjithmonë që dialogu të përfundojë me njohje reciproke. Ne nga Kurti do të kërkonim që të ketë njohje përfundimtare, e jo njohje bazë. Nga kryeministri Kurti ne presim gjithçka. Kurti ka bërë gjithçka për të ardhur në pushtet dhe po bën gjithçka për ta mbajtur pushtetin. Presim të nënshkruhet një marrëveshje bazë. Kurti mund të japë ndonjë nënshkrim në takimin e 27 shkurtit vetëm për të qëndruar në qeverisje”, deklaroi Krasniqi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Madje, Krasniqi potencoi se çdo gjë që ka pasur të bëjë me dialogun, deputetët e Kuvendit e kanë kuptuar vetëm përmes medieve dhe faktorëve ndërkombëtarë.
“Kryeministri është ai që ka kërkuar vet të raportohet para dhe pas çdo takimi, mirëpo tani e shohim që të gjitha parimet që Kurti i ka pasur më herët, nuk është duke i përmbajtur”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, në diskutim për marrëveshjen finale me Serbinë, Krasniqi vlerësoi se patjetër duhet të jetë në tavolinë edhe çështja e të pagjeturve.
“Nuk e di Kurti se si sot del dhe ballafaqohet me familjarët e të pagjeturve, të cilët me një fjalë i ka mashtruar dhe ka ardhur në pushtet me votat e tyre”, shtoi tutje ajo.
Kujtojmë se temë e takimit më 27 shkurt, pritet të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë./teve1.info/.