Futbollisti kosovar Ermal Krasniqi mund të huazohet te skuadra e Bolognas gjatë afatit kalimtar të janarit. Kështu ka njoftuar të mërkurën “prosport.ro”. Siç mëson sajti rumun, Bologna me Clujin kanë rënë dakord që Krasniqi të huazohet deri në verë me mundësi të blerjes së kartonit të tij.
“Italianët kanë pranuar ta marrin huazim për gjashtë muaj, ndërsa do të detyrohen të paguajnë një milion euro, kurse pjesën tjetër të shumës së transferimit ta paguajnë në verën e vitit të ardhshëm. Skuadra e Thiago Mottas duket se ka ende nevojë për një sulmues”, shkruan mediumi rumun.
Bologna është e 11-ta në Serie A dhe ka një nga sulmet më të dobëta në ligë. 25-vjeçari pjesë e Clujit është prej janarit të këtij viti. Ai u transferua për 200 mijë euro nga Ballkani. Së fundi ka humbur vendin e titullarit. Ka asistuar vetëm një herë në shtatë ndeshje në Superligë të Rumanisë.