Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme për ankesat e paraqitura ndaj rezultateve të zgjedhjeve të shpallura më 27 qershor, ndërsa certifikimi i rezultateve do të varet nga epilogu i këtij procesi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se nëse vendimet e Gjykatës Supreme nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, atëherë institucioni mund të procedojë me certifikimin e rezultateve.
Në të kundërtën, sipas tij, fillimisht do të zbatohen obligimet që mund të dalin nga vendimet e Supremes dhe vetëm më pas do të bëhet certifikimi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e paraqitura për rezultatet e shpallura më 27 qershor. Nëse vendimet nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, mund të procedohet me certifikimin e rezultateve. Ndërkaq, nëse vendimet përmbajnë obligime për KQZ-në, ato do të zbatohen fillimisht, ndërsa më pas do të procedohet me certifikimin e rezultateve”, ka deklaruar Elezi në një përgjigje për KosovaPress.
KP ka kërkuar përgjigje edhe nga Gjykata Supreme lidhur me ankesat e paraqitura, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.
Nga këto zgjedhje, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13%, që ka fituar 53 ulëse.
Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse dhe Aleanca, me 6.74%, ka fituar shtatë ulëse.
Vendimi i Gjykatës Supreme pritet të jetë hapi i fundit juridik para certifikimit të rezultateve zgjedhore.
Krahas konstituimit dhe formimit të Qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë duhet edhe ta zgjedhin presidentin e ri, për të cilin ka afat 60 ditë prej momentit të konstituimit të Kuvendit.
Zgjedhjet e 7 qershorit janë mbajtur pikërisht për shkak të dështimit të partive parlamentare për ta zgjedhur presidentin e vendit, pas përfundimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani.







