KPK-ja vlerëson se reagimet e tilla të Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.
“Prishtinë, 28 dhjetor 2022 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është thellësisht i shqetësuar me deklaratat e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe vartësve të tij, lidhur me vendimin ligjor për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak, që është marrë pas kërkesë së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.KPK vlerëson që reagimet e tilla të Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e KPK-së.
Njëherit, ata kanë shprehur indinjatën e thellë me kërkesën e kryeministrit Kurti, për tu informuar me emrin e prokurorit i cili ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj të pandehurit Pantiq.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës mbështet të gjitha vendimet e prokurorëve që janë të mbështetura në ligj, dhe ju bënë thirrje për të vazhduar punën e tyre të pavarur, profesionalisht dhe të mos ndikohen nga asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni. Ndërsa, Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij, KPK ju bënë thirrje të respektojnë punën e institucionit të pavarur të Prokurorit të Shtetit, ngase tentativat për ndërhyrje, do të mbesin vetëm si të tilla”, thuhet tutje në reagim.