Kombëtarja U21 e Kosovës do të zhvilloj sot ndeshjen kualifikuese për Evropian, ndaj Qipros në stadiumin “Dasaki Achnas” të Larnakës.
Duke nisur nga ora 18:00, Dardanët e ri synojnë triumfin ndaj ekipit vendës me synim mbetjen në garë për kualifikim dhe pozitat e para.
Atmosfera në skuadër është tejet pozitive, ndërsa përzgjedhësi Afrim Tovërlani u shpreh i kënaqur me përkushtimin e lojtarëve gjatë fazës përgatitore.
“Atmosfera në grup është shumë e mirë dhe do të jetë edhe më e mirë pas ndeshjes, nëse arrijmë rezultat pozitiv. Fatkeqësisht, gjatë këtyre ditëve Edion Gashi ka pësuar një lëndim dhe është detyruar të kthehet në Gjermani. Megjithatë, ekipi është i fokusuar dhe i motivuar për sfidën e nesërme”, deklaroi Tovërlani.
Kosova U21, pas tri ndeshjeve të zhvilluara në grupin A, ka katër pikë.
Luajti baras me Rumaninë, pa gola në ndeshjen e parë, pësoi nga Spanja 1:3, ndërsa e mposhti thellë San Marinon 7:0.
Pas Qipros, Dardanët do të ndeshen me Finlandën në udhëtim, më 18 nëntor.








