Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se në Kosovë ka stabilitet politik, ndërsa në Serbi sheh një fillim të ri.
Ajo ka theksuar se Bashkimi Evropian synon të hapë më shumë sektorë të tregut të përbashkët për vendet e rajonit, ndërsa Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030.
Në konferencën për media sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kos tha se BE-ja do të shqyrtojë individualisht me secilin vend kandidat mundësitë për integrim të mëtejshëm.
“Unë shoh një mundësi jo vetëm për tri vendet, por edhe shtete e tjera. Në Serbi, ne shohim një fillim të ri, në Kosovë kemi stabilitet politik dhe ka, po ashtu, një mundësi për Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën. Ne duam të hapim më shumë pjesë të tregut të përbashkët të BE-së, përfshirë sektorët e energjisë dhe transportit, si dhe bashkëpunimin në fushën e teknologjisë digjitale, të hapim institucione tona. Do të shqyrtojmë me secilin vend kandidat në mënyrë individuale se ku mundësohet integrimi i mëtejshëm, ide të tjera, por edhe idetë që vijnë nga BE-ja, për mënyrën se si ky integrim mund të sjellë edhe më shumë siguri ekonomike. Ky do të jetë i njëjti parim”, tha Kos.
Duke folur për perspektivën evropiane të Shqipërisë, komisionerja për Zgjerimin tha se ky vend mund të jetë pranë përmbylljes së negociatave për anëtarësim në fund të vitit 2027, nëse shënon rezultate në zbatimin e reformave dhe merr miratimin e shteteve anëtare.
Sipas saj, traktati i anëtarësimit të Shqipërisë mund të nënshkruhet në vitin 2028 dhe anëtarësimi të ndodhë deri më 2030.
“Shqipëria mund t’i përmbyllë të gjithë kapitujt për negociata nëse do të ketë rezultate me reforma dhe nëse shtetet anëtare do të japin ‘dritën e gjelbër’ për Shqipërinë. Vitin e ardhshëm rreth kësaj kohe, mund të jemi shumë pranë fundit të negociatave. Hapi i mëtejshëm do të jetë që rreth gjysma e kapitujve të mbyllur, shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punues për traktatin e anëtarësimit. Mund të nënshkruhet më 2028, varet nga procesi i ratifikimit, vizioni i qeverisë dhe qytetarëve, Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar deri në vitin 2030”, tha Kos.
Samiti i Ballkanit Perëndimor po mbahet në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku në fokus janë Plani i Rritjes, procesi i integrimit evropian, reformat dhe konvergjenca ekonomike ndërmjet vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.







