Zagora është një nga fshatrat e Vushtrrisë. E shumë shpejt, këtu në Zagorë, pritet të ndërtohet një kishë.
Por, banorë të kësaj zone, po e kundërshtojnë fuqishëm atë.
Sipas Haki Sinanit, në këtë pjesë nuk jeton asnjë besimtar i fesë katolike.
Për këtë, 77-vjeçari thotë se me nisjen e ndërtimit, do ta bllokojnë rrugën.
“Ne jemi mos me pas kishë, se nuk ka nevojë, se me pas nevojë e përkrahim edhe ne u ndihmojmë, por nuk ka nevojë e me zor hyqmeti mundet me bo çka do. Unë këndej e kam udhën, atë ditë që vijnë me e nis kemi me i blloku, nuk kemi me i lanë”, thotë Sinani.
Ashtu si ky banor, këtë iniciativë nuk po e përkrahin as Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri.
“Arsyeja pse ne jemi kundër këtij objekti katolik është se në atë zonë nuk ka asnjë katolik të vetëm. Sikur të kishte një dy apo më shumë, atëherë kishte me qenë ndoshta nevojë, por aty nuk jeton asnjë katolik. Po edhe në zonat përreth janë mysliman një objekt i tillë është i panevojshëm për shkak se nuk i shërbe interesave të besimtarëve. Nëse besimtarët katolikë kanë nevojën për ndonjë kishë, kanë nevojë për ndonjë objekt, ne do t’ju ndihmojmë, por në këtë rast mendoj që është më tepër objekt politik sesa fetar”, u shpreh kryetari i KBI në Vushtrri, Ejup Haziri.
Ndër të tjera, Haziri thotë se ani pse ky objekt është paraqitur se do të ndërtohet në Zagorë, ai pritet të ndërtohet në Dumnicë të Llugës.
Nga ky Këshill thonë se iniciatori i këtij projekti është Musë Musa, i cili siç thonë, në vazhdimësi në rrjete sociale bën postime me gjuhë përçarëse.
“Ideja për këtë kishë vjen nga një person që i përket lëvizjes ekstremiste si Lëvizja e Deçanit dhe ajo për Rikthim. Ka qenë ide e kahmotshme, ai e ka shprehur këtë edhe me shkrime të ndryshme në ‘Facebook’…Unë kam këtu me vete shumë postime të tij. Ai bënë nxitje kundër myslimanëve, thërret në vrasjen e myslimanëve, në djegien e tyre, në dëbimin e tyre nëpër Azi e vende të tjera. Ai vet jeton në mesin e myslimanëve”, deklaroi Ejup Haziri.
Televizioni ka kontaktuar edhe Musë Musën.
I njëjti nuk dha detaje shumë, veçse tha se më datën 18 gusht, vihet gurthemeli.
“Më 18 gusht, në orën 11:00, fillon ceremonia e vënies së gurthemelit. Ejani dhe binduni se sa shqiptarë ka të besimit katolik në Vushtrri dhe sa të tjerë do rikthehen atë ditë në fenë e të parëve, sepse do të ketë edhe pagëzime. Unë mund të të informoj në pika të shkurta sepse unë vetëm jam dhurues i pronës dioqezës Prizren – Prishtinë, kurse për të tjerat mirret Ipeshkvia e Kosovës në bashkëpunim me komunën e Vushtrrisë”, tha Musa për tëvë1.
Tëvë1 ka tentuar të marrë një përgjigje dhe nga Komuna e Vushtrrisë për këtë çështje, por të njëjtin nuk kanë qenë të qasshëm.



