Kafen e planifikuar e pinë të shtunën që lamë pas. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në këtë fundjavë zhvilloi takimin me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Për bisedën që patën foli kryeministri në detyrë të hënën. Mirëpo Kurti nuk dha detaje për ofertën që ia bëri Limajt.
“Kemi shprehur tashmë jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqevërisur me Nismën. Kam bërë pak a shumë edhe një ofertë konkrete për Nismën, në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e sa më mirë. Mirëpo kur këto bisedime të përmbyllen me rezultatin final atëherë mund të flasim për hollësitë e përmbajtjes së saj. Për hollësitë e përmbajtjes së ofertës sonë mund të flasim vetëm atëherë kur bisedimet të jenë të finalizuara me atë marrëveshje”, ka thënë Kurti.
Kurti tha që do të kuptohet në fund të javës nëse do të ketë marrëveshje me Nismën Socialdemokrate.
“Nuk e di çfarë do të ndodhë pas 30 ditëve. Ndërkohë ne duhet të qeverisim sepse i kemi kompetencat e kufizuara, por punët i kemi të shumta. Unë kam bërë një ofertë për Nismën dhe nuk do të mund t’i diskutojë elementet përbërëse para se të finalizohen ato biseda sepse punoj që kjo të bëhet në këtë fundjavë. Në këtë fundjavë ose do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose do ta kemi lajmin për mungesën e saj”, është shprehur Kurti.
E gjitha këto kryeministri në detyrë i tha në konferencën e thirrur në lidhje me arrestimin e zyrtarit serb në Kosovë, Igor Popoviq, ku akuzoi Serbinë për nxitje të tensioneve në rajon.
Po ashtu, Kurti tha që i konsideron kërcënuese deklaratat e Vuçiqit pas arrestimit të Popviqit.
“Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të bëra më 20 korrik sivjet janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por si politikë shoqërore. Në këtë mënyrë, Beogradi zyrtar tregon qartazi se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rajon sikur që deklarimet e Popoviqit, po ashtu nxisin përçarje dhe mosdurim”, tha tutje Kurti.
Andaj ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet nëpër Serbi.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë pasi ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe. I ftojmë qytetarët për maturi, bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe ruajtje të unitetit dhe qetësisë”, ka përfunduar Kurti.
Gjykata Themelore e Prishtinës të dielën ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Popoviqit.
Popoviq, dyshohet se më 18 korrik në fshatin Hoçë të Madhe të Rahovecit, gjatë një fjalimi me serbët lokalë, e ka quajtur UÇK-në organizatë terroriste, ndërkohë e ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për siç ka thënë, heshtje ndaj autorëve të krimeve ndaj serbëve.