Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se mospjesëmarrja e deputeteve të Listës Serbe dhe pakicave tjera në punimet e Kuvendit të Kosovës, cenon përfaqësimin qytetar.
Sipas KDI-së bojkoti i tyre është mjet politik, por po cenon parimet demokratike.
KDI shpreh shqetësimin për mospjesëmarrjen e deputetëve nga subjektet politike Lista Serbe, Romani Iniciativa (RI), Partia Unike Gorane (JGP) dhe Partia IQ për liri, drejtësi dhe mbijetesë (GISPO), në punimet e Kuvendi i Republikës së Kosovës – Skupština Republike Kosova për disa muaj me radhë. KDI e sheh ushtrimin e bojkotit parlamentar si mjet politik, megjithatë kjo formë e zgjedhur nga deputetët e subjekteve minoritare po cenon parimet demokratike, duke i privuar qytetarët nga komunitetet jo shumicë nga përfaqësimi i interesave të tyre në Kuvend. Për më tepër, mospjesëmarrja e deputetëve nga subjektet e lartpërmendura ka efekt zingjiror edhe në mosfunksionim e Komisionit parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, duke e lënë këtë organ pa kuorum dhe pa vendim-marrje”, thuhet në reagimin e KDI-së.
KDI u ka bërë thirrje deputetëve nga subjektet në fjalë, që sa më parë t’i kthehen ushtrimit të funksionit të plotë të tyre duke vënë në plan të parë përfaqësimin e interesave të qytetarëve dhe llogaridhënien para zgjedhësve të tyre.
Që nga 17 nëntori i vitit 2022, kur deputetë e rinj të Listës Serbe dhe të tjerë dhanë betimin në Kuvend, për të zëvendësuar të larguarit pas një vendimi të serbëve për të dal nga institucionet e Kosovës, ata nuk kanë marrë pjesë në seanca dhe komisionet te Kuvendit.
Dorëheqjet e deputetëve, si dhe shumë zyrtarëve të tjerë serbë në institucionet e Kosovës, kanë nisur në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.