Kalaja e Prizrenit do të mbyllet përkohësisht për vizitorët, për shkak të fillimit të punimeve për zbatimin e masave emergjente në këtë aset të trashëgimisë kulturore.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, mbyllja do të zgjasë rreth dy javë dhe nis nga sot.
Vendimi është marrë nga Njësia Menaxhuese e Kalasë së Prizrenit, me miratimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se masa është ndërmarrë me qëllim të krijimit të kushteve të sigurta për vizitorët dhe punëtorët gjatë zhvillimit të punimeve.
Ministria ka njoftuar se për çdo ndryshim lidhur me afatin e mbylljes, si dhe për datën e rihapjes së kalasë për vizitorë, publiku do të informohet me kohë.
Kalaja e Prizrenit është një nga monumentet më të njohura të trashëgimisë kulturore në vend dhe një prej pikave kryesore turistike të qytetit.
“Për çdo ndryshim lidhur me afatin e mbylljes dhe rihapjen e kalasë për vizitorë, publiku do të njoftohet me kohë. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.”, thuhet mes të tjerash në njoftim.









