Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, e ka akuzuar kabinetin qeveritar për faljen e borxheve si dhe prejardhjen e mishit nga një kompani kosovare e cila ishte ngritur si e dyshimtë para disa javëve nga një medium në Shqipëri, raporton teve1.info
Ajo madje ka thënë se i fton qytetarët e Kosovës që të hanë mish Brazili, dyshimi për prejardhjen e të cilit ishte publikuar në mediet shqiptare.
“I ftoj qytetarët e Kosovës të hanë mish Brazili me vulë të Kosovës të cilës kompanisë Apetiti ia ka mundësuar ky ministri këtu të cilët kanë abuzuar dhe faljen e borxheve që kanë ndodh nga ai ministri këtu dhe abuzimin që e ka bërë me gjithë atë borxh dhe i cili sot nuk është prezent këtu në seancën plenare”, tha Kadriaj.
Deputetes i reagoi ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili tha se kjo është një shpifje nga një pseudogazetar.
“Para foltores së Kuvendit, në shtëpinë e popullit të Kosovës unë e jap zotimin si cdo herë që puna dhe angazhimi jem është i pastër dhe më vije keq por është njëra prej veprimeve ose angazhimeve më të mëdha që një ministër i qeverisë së Kosovës ka bërë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit. Sa i përket pretendimit lidhur me eksportin e realizuar nga një operator ekonomik si eksport në Shqipëri, tashmë janë të gjeturat e realizuara nga gjurmueshmëria dhe verifikimi por njëkohësisht edhe analizat e laboratorëve më të avancuar që i ka Republika e Shqipërisë. Sido që të jetë edhe një pseudogazetar dhe një analist edhe një subjekt politik i cili e ka dashur që të konfrontohet me mu, gjithë ky veprim duket se është sinkron e mua më erdh mirë që e përmende vetëm me e shpërfaqë realitetin e një prapaskene të një tendence për të paraqitur si një veprimtari abuzive për çka dikush që e ka ngritë tashmë edhe mbi bazën e fakteve ka edhe pjesën e padisë për shpifje, e më vije keq nëse edhe dikush nga deputetët e Kuvendit të Kosovës i bashkëngjiteni një shpifje të tillë ordinere”, tha Peci.
Kadriaj iu kundërpërgjigj duke i thënë se gjetjet mbi korrupsionin e qeverisë më së miri i ka treguar raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh).
“Ato janë të dokumentuara, ju e di që po mundoheni me i falsifikua ato dokumente dhe të gjetura, më së miri e ka tregu raporti i DASh-it se sa është ko qeveri e korruptuar”, u shpreh Kadriaj.