Përfaqësuesja e Izraelit mund të ketë një emër të ri në skuadër për përballjen ndaj Kosovës, pasi talenti 17-vjeçar i Barcelonës, Orian Goren, pritet të ftohet për herë të parë në ekipin e parë.
Përzgjedhësi Ran Ben Shimon do ta publikojë të enjten listën e futbollistëve për ndeshjet ndaj Kosovës dhe Austrisë, të vlefshme për Grupin B3 të Ligës së Kombeve.
Megjithatë, skuadra izraelite pritet të ketë disa mungesa në këto dy takime. Sipas mediave vendase, Eliel Peretz dhe Tai Baribo nuk do të jenë në dispozicion, ndërsa në dyshim mbetet edhe Idan Nahmias për shkak të problemeve fizike.
Mediumi “Sport5” raporton se Peretz është i lënduar, kurse Baribo pritet t’i nënshtrohet një operacioni.
Në anën tjetër, sipas “One”, Goren është pranë ftesës së parë në ekipin A të Izraelit. 17-vjeçari ishte në bankën rezervë të Barcelonës në ndeshjen ndaj Real Madridit në “El Clasico”.
Edhe Çekia kishte shfaqur interesim për talentin, por ai ka vendosur ta përfaqësojë Izraelin, fanellën e së cilës e ka bartur në grupmoshat e reja.
Kosova dhe Izraeli do të përballen më 14 nëntor, ndërsa izraelitët tri ditë më vonë do të luajnë ndaj Austrisë.










