Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj konfirmoi se ka dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radojiçiq. Ai nuk pranoi të jap detaje, me arsyetimin se nuk mund të bëhet publike për shkak të hetimeve. Megjithatë, Isufaj theksoi se urdhërarresti është tërhequr për një kohë, por më pas i është rikthyer.
Në konferencë për media ku prezantoi të dhënat e këtij viti, Isufaj deklaroi se me kërkesë të Prokurorisë Speciale është bërë urdhërarresti për Milan Radojiçiqin.
“Sa i përket udhërarrestit ndaj Radoiçiçit, ai është komplet çështje e brendshme e Prokurorisë, të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për opinionin për rastet që ne i trajtojmë. Ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërhequr për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthyer”, tha ai.
Isufaj komentoi edhe deklaratat e ish-prokurorit special, Sylë Hoxha, ku i njëjti pati thënë që ka njerëz që i kanë çuar fjalë për të tërhequr urdhërarrestin ndaj Radojiçiqit.
“Pyetni atë se kush i ka thënë, nëse atij i ka thënë dikush, ai ka qenë prokuror pse ai s’ka ndërmarrë. Këtë informacion e kam marr prej mediave. Kurrë s’ma ka thënë mua. Ai ka qenë prokuror ka pasur mandat secili që ka mundur t’i thotë diçka ka mundur ta arrestojë, nuk e di pse nuk e ka bërë këtë punë… Unë e kam dhënë pëlqimin. Arsyet nuk mund t’i bëjë publike. Këto janë çështje të ndjeshme, janë çështje të hetimit”, deklaroi ai.
Ai u pyet edhe për kritikat e kryeministrit se prokuroria duhet të ngris aktakuza për sulmin në Banjskë të Zveçanit.
“Pyetjes për kryeministrin, as që dua ta komentojë sepse nuk është çështje e tij ngritja e aktakuzave, është qysh e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuzat i ngrisim kur i kryejmë hetimet dhe nuk mund të na tregojë askush se kur ne duhet të ngrisim aktakuzat”, u shpreh ai.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se gjatë këtij viti janë ballafaquar me raste të profileve të ndryshme, ku të dyshuar ishin zyrtarë të lartë shtetëror. Po ashtu, theksoi se ka pasur edhe lloje të ndryshme të kriminalitetit.
“Gjatë vitit 2023, PSRK ka regjistruar 306 lëndë. Nga lëndët e pranuara për secilin departament, shpërndaja ka qenë si në vijim: Departamenti për Krim të Organizuar dhe Krime tjera në kompetencë të PSRK-së 37 lëndë, Departamenti për korrupsion dhe krim financiar 172 lëndë, departamenti për krime lufte 46 lëndë dhe departamenti për terrorizëm 51 lëndë. Përderisa Prokuroria Speciale ka zgjidhur 239 lëndë gjatë vitit 2023, respektivisht nëse marrim për bazë vetëm numrin nga regjistri me kryerës të njohur, kemi pranuar 96 lëndë dhe kemi zgjidhur 88 lëndë. Departamentet nga të gjitha regjistrat kanë zgjidhur si në vijim: Departamenti për Krim të Organizuar dhe Krime tjera në kompetencë të PSRK-së 34 lëndë, Departamenti për Korrupsion dhe Krim Financiar 164 lëndë, Departamenti për Krime Lufte 20 lëndë”, u shpreh ai.
Nga këto lëndë, Isufaj shtoi se janë 59 për qind vendime fajësuese në raportet me aktet liruese.
Rastet e trajtuara këtë vit, ai shtoi se janë të natyrës më serioze dhe dëmi i shkaktuar nga veprat dhe kërcënimet nga veprat kriminale
“Rastet që trajtohen këtë vit janë të natyrës së krimeve më serioze por edhe rreziku dhe dëmi i shkaktuar nga veprat dhe kërcënimet që rezultonin nga këto aktivitete kriminale, përfshinin kërcënimin ndaj institucioneve, palëve, dëshmitarëve dhe prioriteteve strategjike të institucioneve shtetërore. 43 aktakuzat e rasteve të shënjestruara i përkasin natyrës korruptive me 347 persona të përfshirë. 33 nga aktakuzat nga ky regjistër i përkasin krimit të organizuar me 320 persona. Nën hetim mbesin tetë raste, të përfshirë 140 persona. Gjatë aktivitetit tonë janë sekuestruar mbi 41 milionë euro, pasuri që rrjedhin nga aktiviteti kriminal”, shtoi ai./kp