Kontributin që dha në luftën për liri, ishte i paepur.
Është ky Naim Lushi nga Qyshku i Pejës, që asokohe ishte pjesë e UÇK-së, në brigadën 133.
Më 14 maj të ’99-tës, forcat serbe ia vranë të atin dhe tetë anëtarë të tjerë të familjes.
Plagët e luftës, ia përkujtoi këto ditë, deklarata e ministres serbe, e po lindur në Pejë, se do ta spastronte etnikisht Kosovën.
“Ne e kemi provuar në familjen tonë, kjo ka qenë një përpjekje për shfarosje…nuk është që Millosheviqi ka lënë diçka pa bërë që të mund ta realizonte këtë, as kjo s’do të mund të bënte më shumë. Nuk na frikësojnë deklaratat e tilla”, thotë Lushi.
Por ai thotë se institucionet do duhej të reagonin më ashpër ndaj Snezhana Paunoviqit.
“Ne na shqetëson në një mënyrë mosgatishmëria e politikanëve tonë që të krijojnë rrethana të tilla që të mund t’i kundërvihen, jo me fjalë por me vepra e deklarata, dëshirave dhe synimeve të tilla. Kjo nuk është vetëm një deklaratë, ky është synim, po t’i jepej mundësia, ajo do ta bënte këtë njësoj si Millosheviqi që e ka provu”, shprehet ish-ushtari i UÇK-së.
Kosova tashmë e ka shpallur nongrata Paunoviq.
E këtë të enjte, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla njoftoi se ka dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj ministres serbe.
“Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”, njoftoi Gërvalla.
Kërkesë për shkarkimin e Paunoviq dorëzoi gjatë ditës në Serbi edhe Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin serb.
Për këtë nismë ai thotë se mori nënshkrimin e 53 deputetëve.
“Nëse Gjuro Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë”, ka shkruar Kamberi.
Një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, do ta dorëzojë të premten edhe avokati Gent Gjini.
“Ne do të kërkojmë edhe mbështetje nga Interpoli, sepse kjo ministre si ka reaguar duke kërcënuar popullatën shqiptare me spastrim etnik dhe të cenoj rendin kushtetues, nuk do mendësi që jo vetëm të dënohet, por e njëjta duhet të paraburgoset”, njoftoi ai.
Reagim ndaj kësaj çështjeje pati sërish nga Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cila tha se është e paimagjinueshme se si ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, vazhdon të jetë në detyrë pas deklaratës për spastrim etnik në Kosovë.
Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE, që ta kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.






