Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Kaçanik, nën dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ndërsa ka rekomanduar suspendimin e tij dhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë të përfshirë në rast.
Sipas njoftimit të IPK-së, rasti ka ndodhur më 17 nëntor 2026, pas orës 15:00, në fshatin Kaçanik i Vjetër, ku një patrullë policore, e përbërë nga katër zyrtarë, ka arrestuar një qytetar në oborrin e shkollës së fshatit.
Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se njëri nga zyrtarët policorë ka tejkaluar autorizimet ligjore, duke përdorur forcën ndaj qytetarit edhe pasi ai ishte prangosur. Si pasojë, qytetari ka pësuar lëndime trupore.
Pas arrestimit, qytetari është dërguar në stacionin policor. Megjithatë, sipas IPK-së, zyrtarët e përfshirë nuk e kanë njoftuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra, ndonëse kishin pretenduar se qytetari kishte kryer vepër penale.
Më pas, qytetari është liruar, ndërsa ndaj tij është shqiptuar një tiketë kundërvajtëse për prishje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht për sulm verbal.
IPK ka bërë të ditur se ndaj zyrtarit policor të arrestuar ka pranuar edhe ankesa të tjera nga qytetarët, të cilat mund të shërbejnë si informacione relevante gjatë hetimit dhe vlerësimit të veprimeve të tij zyrtare.
Me vendim të prokurorit kompetent, zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkaq, në kuadër të procedurave administrative dhe për të mundësuar zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit të arrestuar, si dhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë të përfshirë në këtë rast.
Inspektorati Policor i Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për hetimin e rasteve të dyshuara të keqpërdorimit të detyrës dhe tejkalimit të autorizimeve policore, me qëllim të garantimit të llogaridhënies dhe forcimit të integritetit në Policinë e Kosovës.







