Bekim Salihu nga Instituti GAP ka vlerësuar se propozimi për vendosjen e një tarife për automjetet që hyjnë në Prishtinë bie ndesh me frymën e kushtetutshmërisë, ndershmërisë dhe arsyeshmërisë, duke krijuar standarde të dyfishta për qytetarët.
Sipas tij, një nismë e tillë duhet të tërhiqet dhe të mos aplikohet, pasi cenon parimet bazë të së drejtës.
“Kemi konsideruar se një propozim i tillë bie ndesh me frymën e kushtetutshmërisë, ndershmërisë dhe arsyeshmërisë për shkak se vendos standarde të dyfishta të cilat për dikë vlejnë e për dikë jo. Ne kemi konsideruar që një propozim i tillë duhet të tërhiqet dhe nuk duhet të aplikohet për shkakun që cenon parimet bazë të së drejtës dhe në këtë drejtim natyrisht që Komuna e Prishtinës ka bërë gabim me një propozim të tillë”, ka thënë Salihu në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai ka kritikuar edhe kushtëzimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me mosvendosjen e tarifës në rast se Qeveria zhbllokon fondet e siguruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e unazës së qytetit.
“E gabueshme ishte edhe qasja dhe përmbajtja që Rama sot e paraqiti në opinion në lidhje me kushtëzimin që detyrohet, sipas tij, t’ua bëjë qytetarëve, me kusht që pastaj Qeveria t’i lëshojë fondet e bllokuara të BERZH-it. Në këtë drejtim konsiderojmë që këto nisma dhe këto praktika duhet të mënjanohen, për shkak se nuk zgjidhin probleme, por përkundrazi krijojnë probleme të ndryshme”, ka shtuar ai.
Salihu ka theksuar se kryeqyteti nuk u takon vetëm banorëve të tij, por është i të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Rama, por edhe secili kryetar i Prishtinës në të ardhmen, duhet ta kuptojnë që kryeqyteti nuk i takon vetëm banorëve të saj, por është i shtetit dhe i të gjithë banorëve”, ka përfunduar Salihu.
Ndryshe, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se propozimi për vendosjen e një tarife për automjetet që hyjnë në kryeqytet nuk do të jetë i nevojshëm nëse Qeveria zhbllokon fondet e siguruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e unazës së qytetit.
Në një postim në Facebook të mërkurën, Rama ka sqaruar se ideja për tarifimin e automjeteve që nuk janë të regjistruara në Prishtinë është vetëm një propozim për diskutim publik dhe jo një vendim i marrë.
Sipas tij, tarifa e propozuar do të ishte nga 1 deri në 2 euro për automjetet që hyjnë në qendër të Prishtinës, ndërsa deri në 10 euro për kamionët e rëndë që qarkullojnë në zonat qendrore të qytetit.
Megjithatë, Rama ka theksuar se vendimi përfundimtar do t’u takojë qytetarëve.
Ai ka sqaruar se kjo ide po shqyrtohet si alternativë për financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, veçanërisht ndërtimin e unazës së qytetit, e cila synon të lehtësojë trafikun, të zvogëlojë kolonat dhe ndotjen, si dhe të përmirësojë lëvizjen në kryeqytet.
“Arsyeja pse po e shqyrtojmë këtë mundësi është e thjeshtë: Prishtina ka nevojë urgjente për investime të mëdha infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e unazës së kryeqytetit, një projekt që do të zvogëlonte kolonat, do të lehtësonte qarkullimin, do të reduktonte ndotjen dhe do të përmirësonte cilësinë e jetës për të gjithë. Dua të ritheksoj se kjo nuk është një tarifë e vendosur, por vetëm një ide që po diskutohet si alternativë në rast se fondet e BERZH-it vazhdojnë të mbeten të bllokuara”, ka shkruar Rama./teve1.info/







