Inspektorati Qendror i Punës ka kërkuar nga punëdhënësit që të ndërmarrin masa shtesë për mbrojtjen e punëtorëve, pas paralajmërimit për erëra të forta gjatë ditës së nesërme nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).
Përmes një njoftimi, Inspektorati ka theksuar se kujdes i veçantë duhet të tregohet në sektorin e ndërtimtarisë dhe në të gjitha aktivitetet që zhvillohen në ambiente të hapura, transmeton lajmi.net.
Vëmendje e shtuar kërkohet sidomos gjatë punëve në lartësi, në skela, kulme dhe hapësira të tjera të ekspozuara ndaj erërave të forta.
Inspektorati u ka bërë thirrje punëdhënësve që të mos lejojnë vazhdimin e aktiviteteve të punës në rastet kur kushtet atmosferike paraqesin rrezik për sigurinë e punëtorëve.
“Siguria dhe shëndeti i punëtorëve duhet të mbeten prioritet në çdo rrethanë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Qendror të Punës.







