Përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës po marrin pjesë në Sesionin e 38-të të Asamblesë Rajonale për Evropën të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), i cili këtë vit po mbahet nën temën “Evropa, përmes vlerave, gjuhëve dhe kulturave”.
Delegacioni kosovar përbëhet nga deputeti Nezir Kraki, në cilësinë e kryesuesit, dhe deputetja Eliza Hoxha, anëtare e Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit në APF.
Sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, aktivitetet kanë nisur me takimin e kryetarëve të seksioneve evropiane të kësaj asambleje, ndërsa të enjten është paraparë të mbahet seanca plenare në Parlamentin Evropian.
Punimet do të vazhdojnë më 20 nëntor në Parlamentin e Federatës Wallonie-Bruxelles (PFWB), ku në fokus do të jetë shënimi i Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijës. Diskutimet në këtë kuadër do të zhvillohen rreth temës “Mekanizmat e solidaritetit në Evropë”.
Përmes këtij sesioni, Asambleja Parlamentare e Frankofonisë synon të avancojë bashkëpunimin ndërmjet përfaqësuesve parlamentarë evropianë, duke krijuar hapësirë për dialog dhe shkëmbim të përvojave në çështje me interes të përbashkët.
Vëmendje e veçantë i kushtohet promovimit të vlerave të përbashkëta, ruajtjes së diversitetit gjuhësor e kulturor dhe forcimit të solidaritetit ndërmjet vendeve evropiane.
Në fund theksohet se, Kuvendi i Kosovës në kuadër të APF-së ka statusin e anëtarit të asociuar, me të drejtë vote.







