Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kryetari i Komisionit për Ekonomi në Kuvend, Arben Mustafa, ka iniciuar kërkesën për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi.
Mustafa ka bërë të ditur se kërkesa është iniciuar së bashku me deputetë të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka deklaruar se kërkesa për shkarkim lidhet me disa shkelje të dyshuara ligjore, moszbatimin e vendimeve të institucioneve administrative dhe gjyqësore, si dhe përfshirjen e pretenduar në aktivitete politike të ndaluara me ligj.
Mustafa ka kritikuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se përmes votimit të tyre për largimin e kësaj çështjeje nga rendi i ditës së Komisionit për Ekonomi është penguar diskutimi parlamentar për parregullësitë e raportuara në këtë institucion.
Ai ka theksuar se përgjegjësia për funksionimin e ligjshëm të Autoritetit të Konkurrencës i takon edhe Kuvendit dhe deputetëve që kanë për detyrë mbikëqyrjen e tij./teve1.info/









