Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po paraqet një pasqyrë të pavërtetë të gjendjes ekonomike dhe punësimit në Kosovë.
Hoti ka reaguar ndaj deklaratave të Kurtit për uljen e pabarazisë në paga, duke pretenduar se treguesit e punësimit nuk kanë shënuar përmirësime të ndjeshme gjatë 5 viteve të fundit.
“Kurti mashtron veten e botën me deklarata se e ka ulur pabarazinë në paga”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sipas të dhënave të paraqitura nga deputeti i LDK-së, nga çdo 10 persona të moshës së punës, vetëm 4 janë të punësuar, ndërsa te gratë kjo shifër është edhe më e ulët.
“Nga 10 gra të moshës së punës, vetëm 3 janë të punësuara; nga 10 të rinj të moshës 15-24, vetëm 3 janë të punësuar; gjysma e popullsisë së moshës së punës as nuk marrin pjesë në tregun e punës”, ka deklaruar ai.
Madje Hoti ka kritikuar edhe efektivitetin e skemave qeveritare për nxitjen e punësimit, duke pretenduar se shpenzimet milionëshe nuk kanë prodhuar rezultate afatgjata.
“Këto raporte kanë mbetur të njëjta në pesë vitet e fundit, edhe pse janë shpenzuar miliona në skema të superpunës e të subvencioneve pa asnjë efekt real afatgjatë”, ka shkruar Hoti.
Tutje, deputeti opozitar ka ngritur shqetësime edhe për rritjen e kostos së jetesës, çmimet e produkteve ushqimore dhe gjendjen e prodhimit vendor.
“Kostoja e jetës gati është dyfishuar në pesë vitet e fundit. Sigurimet shëndetësore as nuk janë në horizont. Prodhimi vendor është në krizë dhe çmimet e produkteve ushqimore nga importi janë gjithnjë e më të larta”, ka theksuar ai.
Pretendimet e Hotit për treguesit e punësimit dhe rritjen e kostos së jetesës janë pjesë e reagimit të tij politik dhe nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur në këtë raportim.




