Pesë shtetas të Turqisë janë arrestuar në Prizren, nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht një person dhe më pas e kanë futur me forcë në një automjet.
Sipas Policisë, rasti është raportuar më 3 nëntor, pasi hetuesit pranuan një video-incizim ku shihej se pesë persona sulmonin një person në rrugën “Ekrem Rexha” dhe më pas e futnin me forcë në një automjet të tipit “pick-up”.
Viktima, po ashtu shtetas i Turqisë, është identifikuar një ditë më vonë. Gjatë intervistimit, ai ka deklaruar se ishte dërguar kundër vullnetit të tij në një objekt në Prishtinë, ku ishte mbajtur për rreth 12 orë.
Sipas deklarimit të viktimës, ai kishte pësuar lëndime të shumta trupore, përfshirë edhe nga një mjet i mprehtë, ndërsa të dyshuarit e kishin detyruar të hiqte dorë nga punimet ndërtimore që po i kryente në një objekt banesor në Prizren.
“Rasti mbetet në hetim për veprat penale: Shtrëngim, Privim i kundërligjshëm i lirisë dhe Lëndim i lehtë trupor”, njofton Policia.
Pesë të dyshuarit janë arrestuar më 9 dhe 10 nëntor, ndërsa automjeti i përdorur në rast është sekuestruar me urdhër të Prokurorisë së Shtetit.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh./teve1.info/






