Përfshirja e çështjes së personave të zhdukur si çështje urgjente në aneksin për zbatimin e marrëveshje për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po konsiderohet si një e arritur për Kosovën në rrugën drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i cili ishte pjesë e delegacionit kosovar në takimin e së shtunës në Ohër, u shpreh se përkundër insistimit të palës kosovare që në këtë pikë të aneksit të përfshihet edhe afati prej 12 muajsh që të marrë epilog çështja e personave të zhdukur, përsëri ajo është refuzuar.
Ai pret që Deklarata për Personat e Zhdukur mes të palës kosovare dhe serbe të nënshkruhet në ditët në vijim.
Hoti tha se në takimin e 18 marsit mbi katër herë është larguar çështja e personave të zhdukur nga aneksi, por me insistimin e palës kosovar, i ngarkuari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e ka imponuar si çështje urgjente.
“Gjatë takimit kemi insistuar që çështja e personave të zhdukur të jetë si paragraf i veçantë dhe kjo nënkupton si çështje e veçantë të jetë me urgjencë, por ne kemi pasë edhe kërkesa të tjera që fatkeqësisht që jo vetëm që janë refuzuar nga pala serbe, por më duhet me pranua që mbi 4 herë çështja e personave të zhdukur është larguar prej ankesit që e kemi përpara….e para ka qenë që të ballafaqohemi me të kaluarën në kuadër të çështjes së personave të zhdukur kemi kërkuar që të dyja shtetet të ballafaqohet me të kaluarën që nënkupton krime”, tha ai.
“E dyta, ka qenë trajtimi i kësaj çështje me prioritet urgjencë, e treta ka qenë të ketë një afat kohor të ketë një përkufizim të afatit dhe ne kemi kërkuar që brenda një afati prej 12 muajsh të merr një epilog çështja e personave të zhdukur dhe kjo ka has në rezistencë shumë të madhe, aq sa më të madhe që mbi 4 herë na është larguar dhe në fund…Në fund është larguar komplet dhe ka qenë një atmosferë e tillë që ka qenë gogja problem edhe me insistua më shumë se ka qenë merre ose leje. Fatmirësisht kam qenë aty një insistim i mirë, i zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit ka bërë që Lajçak në fund me imponua këtë pikë që është katër dhe me qenë pjesa e personave të zhdukur”, u shpreh Hoti.
Hoti deklaroi se përfshirja në ankesi i personave të zhdukur është moment i rëndësishëm për zbardhjen e fatit të të zhdukur, pasi palët obligohen t’i zbatojnë pikat e përfshihet në të kundërtën do të pasojnë sanksionet.
Edhe më pozitive, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur e konsideron pikën 6 në ankesë që parasheh formimin e komisionit të përbashkët të kryesues nga BE për monitorimin e zbatimit të të gjitha pikave.
E përkundër insistimit që përmes ankesit të parashihej afati prej 12 muajsh që çështja e të pagjeturve të merr epilog, ai u shpreh se ky afat është refuzuar.
“Afati kohor që ne kemi insistuar në vazhdimësi të shtunën të jetë prej 12 muaj të merr epilog çështja e personave të zhdukur do të thotë të shkëmbejnë informacionet dhe t’i themi boll më një dhimbjes të familjarëve të personave të zhdukur që kanë që 24 vite, fatkeqësisht është refuzuar në masë të madhe nga Serbia dhe fatkeqësisht dhe propozimet që na kanë ardhur nga BE dhe Lajçak fatkeqësisht na kanë ardhur jo vetëm pa afat kohor, por na kanë ardhur edhe pa këtë pikë, por në fund kemi arritur me imponua”, u shpreh Hoti për KP.
Andin Hoti, i cili edhe 24 vjet pas përfundimit të luftës nuk di asgjë për fatin e babait të tij të zhdukur, nuk beson që Serbia të zbatojë këtë pikë të ankesit, por pret që Bashkimi Evropian si garantues ta kushtëzojnë shtetin serb që për çështjen e personave të zhdukur të bashkëpunojë me Kosovën.
Ai potencoi se nëse BE është serioze do të ketë progres të madh për çështjen e personave të zhdukur.
Hoti shpreson që Deklarata për Personat e Zhdukur me trysninë e BE të nënshkruhet në ditët në vijim në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Më 18 mars, pala kosovare dhe serbe janë takuar në Ohër, ku u pajtuan për zbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian. Por, kjo marrëveshje përveç dakordimit nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.