Ruben Amorim ka vendosur të përjashtojë Rasmus Hojlund nga skuadra e Manchester United për ndeshjen ndaj Arsenalit, një tjetër sinjal i qartë se aventura e tij në “Old Trafford” po shkon drejt fundit.
Hojlund tashmë po përballej me vështirësi për të qenë titullar pas mbërritjes së sulmuesit Benjamin Sesko nga RB Leipzig.
Sulmuesi danez shënoi vetëm katër gola në Ligën Premier sezonin e kaluar dhe është lidhur vazhdimisht me një largim nga klubi.
Ai nuk u aktivizua fare në miqësoren e fundit të parasezonit ndaj Fiorentinës, ku ishte në stol.
Megjithatë, ndaj Arsenalit ai nuk do të jetë fare pjesë e skuadrës, as në bankinë, në një vendim domethënës nga Amorim.
Sipas The Athletic, Hojlund është informuar personalisht se këtë sezon do ta ketë “të vështirë për të marrë minuta”, prandaj edhe është lënë jashtë listës për këtë përballje.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri portugez u tregua i rezervuar për sa i përket përfshirjes së Hojlundit në ekipin e ndeshjes së së dielës.
Tashmë duket gjithnjë e më e mundshme që 22-vjeçari ta ketë luajtur ndeshjen e fundit me fanellën e United.
Hojlund ka ngjallur interes për huazim nga Milan, ndërsa gazetari i Sky Sports, Dharmesh Sheth, raportoi të premten se edhe Borussia Dortmund po e ndjek situatën nga afër.
Bisedimet me gjigantët e Serie A pritet të fokusohen në një marrëveshje huazimi me opsion blerjeje në fund të sezonit.