HiPP Kosova ka reaguar përmes një njoftimi publik lidhur me shqetësimet për rritjen e çmimeve të produkteve të saj në treg.
Në deklaratë thuhet se kompania nuk ka rritur çmimin e asnjë produkti si pasojë e krizës së fundit në Lindjen e Mesme dhe se, deri më 23 mars 2026, nuk ka asnjë informacion nga selia në Gjermani për ndonjë planifikim të tillë.
Sipas HiPP, çdo rritje e çmimeve që mund të jetë vërejtur në barnatore apo markete është bërë në mënyrë të pavarur nga shitësit dhe pa autorizimin e kompanisë.
Po ashtu, kompania ka ngritur shqetësimin për shitjen e mostrave të produkteve të saj. HiPP thekson se këto mostra shpërndahen falas dhe nuk duhet të dalin në shitje, duke u bërë thirrje konsumatorëve që të mos i blejnë ato.
Në fund të njoftimit, kompania falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe besimin e treguar ndaj produkteve të saj.




