Autore: Jona Kelmendi
Lagjet Bregu i Diellit dhe Velania në Prishtinë u mbushën plotë këtë të diel, me qytetarë, familjarë e bashkëluftëtarë.
Të gjithë me një qëllim të përbashkët të nderojnë 36-vjetorin e rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut.
Homazhet nisën në varrezat e dëshmorëve në Velani dhe vazhduan në vendin e rënies në Bregun e Diellit, aty ku më 2 nëntor të vitit 1989 dy heronjtë u përballën me forcat serbe dhe ranë në betejë.
Nipi i heroit Fahri Fazliut, i cili edhe trashëgon emrin e tij shprehet krenar.
“Sot jemi mbledhur për të kujtuar dhe nderuar 36 vjetorin e rënies heroike të heronjve të kombit Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia ne si familjar jemi të gëzuar dhe i falënderojmë gjithë qytetarët që gjithmonë na u bashkuan e nuk na lanë vetëm në këto ditë të dhimbjes dhe krenaris. Sot është një ditë e dhimbjes, sot është një ditë e dhimbjes më e madhe pasi që pas 36 vitesh më mungon babai im i cili gjendet në Hagë padrejtësisht me gjithë çlirimtarët e tjerë”, tha nipi i heroit.
Ndërkaq, motra e e Afrim Zhitisë, Sadetja e kujton me mall e krenari vëllaun e saj.
“Pas 36 vitesh kjo ditë është e mbushne me emocione por e kujtojmë ashtu siç ka qenë i buzëqeshur i gëzuar, i afërt e i vendosur dhe është mirë të kujtohen sepse duke i kujtuar heronjtë e kujtojmë të kaluarën tonë dhe motivohemi për të punuar për të ardhmën”, tha ajo.
E bashkëluftëtari i tyre, Ramadan Avdiu, kujton momentet e fundit të përballjes, duke i cilësuar Afrimin dhe Fahriun si simbol të qëndresës shqiptare.
“I kujtojm me shumë prioritet dhe krenari shokët tanë bashkëveprimtarët tanë Afrim Zhitin dhe Fahri Fazliun të cilët u ndodhën të rrethuar në mesditen e 2 nëntorit të vitit 1989 dhe me dy armë që i kishin ata i rezistuan për më shumë se 10 orë kundër forcave të shumta të policisë dhe në një luftë të pa barabartë ranë heroikisht”, u shpreh ai.
I pranishëm në homazhe ishte edhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e kujtimit të veprës së heronjve.
“Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe sensibilizoi opinionin publik ndërkombëtar i cili e kuptoi se në Kosovë ka një popull qe nuk nënshtrohet dhe qe do të rezistoje deri ne lirine per veten e tij”, tha Kurti.
Në homazhe morën pjesë edhe liderë të tjerë politikë, si dhe përfaqësues të institucioneve duke nderuar kështu veprën dhe sakrificën e heronjve.






