Festivali i Kafesë dhe Çajit nga sot e deri më 2 tetor do të mirëpresë të gjithë dashamirësit e këtyre dy pijeve më të njohura botërore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Këtë vit festivali ka mirëpritur 25 brende vendore dhe të huaja, duke e gjetur këtë mënyrë si më efikase për promovimin e tyre në treg.
Valmir Abdullahu, përfaqësues i njërës nga kompanitë e kafesë tha se është hera e tretë që marrin pjesë në festival dhe se prania e tyre gjithmonë ka sjellë sukses për kompaninë me përvojë afro 20-vjeçare.
“Ne e promovojmë sot kafen, espreson e kafen turke. Kemi një brend shumë të mirë, një kafe shumë të mirë që e kemi në gjithë Kosovën, nëpër restorante, në kafene, ndërsa turken e kemi nëpër markete”, tha Abdullahu.
Ai tha se interesimi për produktet e kësaj kompanie është shumë i madh, dhe sipas tij kjo vjen nga fakti se kafja e tyre është mjaft cilësore.
“Është një kafe që e pëlqejnë shumë, mendojmë që e marrim një kafe pak më cilësore. Edhe në analizat tregojnë që është 100 për qind kafe cilësore dhe e shërbejmë me shumë sinqeritet”, tha ai.
Diellor Berisha nga kompania e ëmbëlsirave dhe biskotave në Prizren, tha se panairi paraqet një mundësi të mirë për të shtrirë ndikimin në tregun e Kosovës.
“Si kompani besoj që ka bukur një ndikim të madh në tregun e Kosovës, me plot brende tona për shembull siç i kemi Sempren, PoKo, llojeve të ndryshme të produkteve që i kemi. Mandej është pjesa që ndoshta e kemi si brend tonin të Kosovës që është pak a shumë në konkurrencë me një brend të shteti fqinj, dhe besoj që ka një ndikim bukur të madh domethënë në ekonominë në treg gjithkund”, tha Berisha.
Berisha ka bërë të ditur se ka shumë interesim për produktet e kompanisë “Liri”, ku qytetarë të shumtë kanë mundësi të njihen më për së afërmi me prodhimet vendore.
Ndryshe, synimi i këtij festivali është të promovohet kultura e përgatitjes së kafesë dhe çajit në Kosovë, dhe të ofrohet një përvojë unike për konsumatorët.
Gjatë tri ditëve janë paraparë lojëra dhe dhurata për vizitorët, muzikë live si dhe maskota për argëtimin e fëmijëve. /KP











