TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Hani i Elezit: Memorializimi i pushtimit përmes toponimisë

by tëvë1
6 minuta ago
0
A A
Ukshini: Paqartësi për Bordin e Paqes, thyerja BE-ShBA mund të sjellin komplikime  për Kosovën

Autor: Sylë Ukshini

Edhe ndryshimi i emrit të Hanit të Elezit në Gjeneral Janković kishte një karakter të drejtpërdrejtë politik dhe memorial. Vetë emërtimi historik i vendbanimit lidhet me një traditë shumë më të hershme se pushtimi serb i vitit 1912. Sipas të dhënave mbi historinë lokale, vendbanimi dëshmohet që nga shekulli XVI, ndërsa gjatë periudhës osmane njihej me emërtimin İlyas-Han, të lidhur me hanin e Elez Dimcës. Ky emërtim pasqyronte funksionin e vendbanimit si pikë ndalimi dhe komunikimi përgjatë rrugëve të rëndësishme të qarkullimit në këtë pjesë të Kosovës. Pas pushtimit serb gjatë Luftës së Parë Ballkanike 1912–1913, kjo nomenklaturë historike u zëvendësua me një emërtim të ri me përmbajtje të qartë politike dhe memoriale.

Sipas të dhënave që e lidhin zyrtarizimin me vendimet shtetërore serbe të vitit 1914, vendbanimi mori emrin e gjeneralit Božidar Janković, komandant i Armatës së Tretë serbe gjatë Luftërave Ballkanike. Në këtë mënyrë, një toponim i lidhur me historinë lokale dhe funksionin tradicional të vendbanimit u zëvendësua me emrin e një figure ushtarake të shtetit pushtues.

Në këtë rast, toponimia shndërrohej në monument simbolik të pushtimit: hapësira emërtohej sipas komandantit të ushtrisë që e kishte pushtuar atë. Ndryshe nga Ferizaj dhe Shkupi, ku riemërtimi shënonte vendosjen dhe afirmimin e autoritetit të administratës së re, rasti i Hanit të Elezit ilustron funksionin memorial të politikës së toponimisë. Emërtimi “Gjeneral Janković” nuk synonte vetëm identifikimin administrativ të vendbanimit, por edhe përjetësimin e figurës së komandantit serb në vetë hapësirën e pushtuar, duke e shndërruar toponimin në një monument simbolik të pushtimit. Kjo ndodhte në një klimë të karakterizuar nga ekzekutime, dëbime, djegie të vendbanimeve dhe vendosja e administratës ushtarake serbe mbi popullsinë shqiptare.

Komisioni Ndërkombëtar i Carnegie-t i përshkroi politikat serbe në territoret e pushtuara si një proces “asimilimi përmes terrorit”, që synonte eliminimin ose nënshtrimin e elementeve joserbe dhe shndërrimin e një pretendimi kombëtar në realitet administrativ (Carnegie Endowment for International Peace, 1914, pp. 148–165).
Pas përfundimit të administrimit serb mbi Kosovën më 1999, emërtimi historik Hani i Elezit u rikthye gradualisht në përdorimin institucional, duke shënuar shkëputjen nga nomenklatura e imponuar gjatë periudhës së sundimit serb. Ky rikthim nuk përfaqësonte vetëm një ndryshim administrativ, por edhe rivendosjen e një emërtimi tradicional të lidhur me historinë dhe identitetin lokal të vendbanimit.

Një etapë e rëndësishme në institucionalizimin e këtij emërtimi ishte krijimi, në shtator 2005, i Hanit të Elezit si njësi e veçantë komunale, pasi deri atëherë territori kishte qenë pjesë e komunës së Kaçanikut. Ky zhvillim administrativ i dha emërtimit Hani i Elezit një dimension të ri institucional, përpara konsolidimit të tij në sistemin juridik të Republikës së Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, Hani i Elezit u konsolidua si emërtimi zyrtar i komunës dhe i vendbanimit. Ky proces mori edhe konfirmim të drejtpërdrejtë juridik nga institucionet e Republikës së Kosovës. Me Ligjin Nr. 04/L-115 të vitit 2012, Kuvendi i Republikës së Kosovës ndryshoi Ligjin Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativë të Komunave, duke përcaktuar shprehimisht, në nenin 16, paragrafi 4, se në Shtojcën 1 (Zonat Kadastrale) emërtimi “Hani i Elezit”, në gjuhën serbe dhe angleze, ndryshohej në “Elez Han”.

Në këtë mënyrë, legjislacioni i Republikës së Kosovës e përjashtoi nga nomenklatura zyrtare emërtimin “Gjeneral Janković”, të institucionalizuar pas pushtimit serb, duke ruajtur Hani i Elezit në shqip dhe duke përcaktuar formën Elez Han për versionet serbe dhe angleze. Ndërkaq, në nomenklaturën dhe diskursin zyrtar të Serbisë vazhdon përdorimi i emërtimit “General Janković” për këtë vendbanim dhe pikë kufitare. Ky dualizëm toponimik është domethënës edhe në rrafshin e politikës së kujtesës: ndërsa legjislacioni i Republikës së Kosovës shënon një shkëputje institucionale nga toponimi memorial që përjetësonte emrin e një komandanti të ushtrisë serbe të periudhës së pushtimit, vazhdimi i përdorimit të tij nga Serbia dëshmon se toponimia mbetet edhe pas përfundimit të konfliktit një hapësirë e konkurrencës simbolike, e narrativave historike dhe e pretendimeve mbi identitetin e territorit. Një ilustrim domethënës i këtij dualizmi toponimik dhe narrativ gjendet edhe në diskursin publik serb. Radiotelevizioni i Serbisë (RTS), në një artikull të titulluar “Ukinut naziv Đeneral Janković”, e paraqiste vendimin e autoriteteve lokale si heqje të emërtimit “Đeneral Janković”, ndërsa gjeneralin Božidar Janković e përshkruante si komandant të Armatës së Tretë serbe, trupat e të cilit kishin “çliruar hapësirën e Kosovës dhe Metohisë” më 1912.

Vetë përdorimi i termit “çlirim” është domethënës për politikën e kujtesës, sepse të njëjtën ngjarje që burimet ndërkombëtare të kohës dhe perspektiva e popullsisë shqiptare e lidhin me pushtimin, dhunën dhe vendosjen e administratës serbe, diskursi publik serb vazhdon ta artikulojë si akt çlirimi. Në këtë kuptim, kontesti mbi emërtimin Hani i Elezit/Gjeneral Janković nuk përfaqëson vetëm një mosmarrëveshje gjuhësore ose administrative, por edhe përplasjen e dy interpretimeve historike të vitit 1912. Domethënëse është gjithashtu se kryetari i atëhershëm i komunës, Rufki Suma, e lidhi heqjen e emërtimit “Gjeneral Janković” me njëqindvjetorin e masakrës së banorëve të Dremjakut, të cilën ia atribuonte trupave të Jankovićit.
Kështu, rikthimi dhe institucionalizimi i nomenklaturës historike merrte njëkohësisht karakter administrativ, memorial dhe simbolik.

Toponimia dhe konsolidimi i pushtetit pushtues

Në këtë kontekst, ndryshimi i toponimeve nuk mund të ndahet nga dhuna ushtarake dhe ndryshimi i strukturës së pushtetit. Burimet ndërkombëtare raportojnë se marrja e qyteteve të Kosovës nga ushtria serbe u shoqërua me vrasje pa gjyq, ekzekutime kolektive, djegie fshatrash dhe dëbime të popullsisë shqiptare. Në Ferizaj, Prizren, Prishtinë dhe qytete të tjera, administrata e re u vendos ndërkohë që popullsia vendëse përballej me terrorin ushtarak dhe me humbjen e të drejtave civile.

Prandaj, riemërtimi i qyteteve nuk ishte rezultat i një procedure të lirë administrative ose i një zhvillimi organik gjuhësor, por akt i autoritetit pushtues, i ndërmarrë në kushtet e mungesës së përfaqësimit dhe të kundërshtimit të popullsisë së shumicës (Carnegie Endowment for International Peace, 1914, pp. 148–165; Ukshini, 2022). Në këtë kuptim, ndryshimi i toponimeve duhet parë si pjesë e politikës më të gjerë të konsolidimit të pushtetit serb mbi territoret e pushtuara më 1912. Në studimet bashkëkohore mbi kujtesën kolektive, emërtimi i hapësirës konsiderohet një nga mekanizmat kryesorë të prodhimit të kujtesës publike.
Ndryshimi i toponimeve nuk është vetëm akt administrativ, por një ndërhyrje në mënyrën se si komunitetet kujtojnë të kaluarën dhe e konceptojnë territorin e tyre. Për këtë arsye, politika e toponimisë ka qenë një instrument i përdorur shpesh nga shtetet në proceset e pushtimit, kolonizimit dhe ndërtimit të identiteteve kombëtare. Rasti i Kosovës dëshmon se kontrolli mbi territorin nuk ushtrohet vetëm përmes forcës ushtarake, por edhe përmes kontrollit mbi emërtimet, hartografinë dhe kujtesën historike.
Në këtë kuptim, politika e toponimisë përbënte një komponent të procesit më të gjerë të serbizimit simbolik të territoreve të pushtuara, përmes të cilit administrata e re synonte jo vetëm konsolidimin e pushtetit politik, por edhe transformimin e identitetit historik e kulturor të hapësirës. Pikërisht për këtë arsye, vlerësimi i këtyre praktikave nuk mund të kufizohet vetëm në aspektin historik, por kërkon edhe shqyrtimin e tyre në dritën e parimeve të së drejtës ndërkombëtare të okupimit.

Vlerësimi juridik i ndryshimit të toponimeve sipas së drejtës ndërkombëtare

Nga pikëpamja juridike, duhet bërë dallimi ndërmjet asaj që parashikon shprehimisht Konventa e Hagës dhe interpretimit të saj në doktrinën bashkëkohore të së drejtës së okupimit.

Rregullorja e Hagës e vitit 1907 nuk përmbante një dispozitë që ndalonte në mënyrë eksplicite ndryshimin e toponimeve. Megjithatë, neni 43 e detyronte fuqinë pushtuese të merrte masat e nevojshme për rivendosjen dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike (public order and safety), duke respektuar, përveç rasteve të pengesës absolute, ligjet në fuqi në territorin e pushtuar (laws in force in the country). Në këtë kuadër, ndryshimi sistematik i toponimeve për qëllime të transformimit identitar dhe të legjitimimit të aneksimit është vështirë të pajtohet me detyrimin për të ruajtur rendin juridik ekzistues dhe me karakterin e përkohshëm të administrimit ushtarak. (Hague Convention IV, 1907, art. 43).

Për këtë arsye, në formulimin akademik është më e saktë të thuhet se këto ndryshime ishin akte të imponuara, juridikisht të diskutueshme dhe politikisht jolegjitime, sesa të shpallen pa rezervë si një vepër penale e përcaktuar shprehimisht nga e drejta ndërkombëtare e vitit 1912. Paligjshmëria e tyre buronte nga konteksti i pushtimit, nga aneksimi i njëanshëm, nga mohimi i vullnetit të popullsisë vendëse dhe nga përdorimi i toponimisë si instrument i asimilimit. Në konceptimin bashkëkohor, emrat gjeografikë trajtohen gjithashtu si pjesë e trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore të komuniteteve; për rrjedhojë, zhdukja ose zëvendësimi sistematik i tyre përbën ndërhyrje në kujtesën historike dhe në identitetin kulturor të hapësirës (United Nations Group of Experts on Geographical Names [UNGEGN], 2015).

Serbizimi simbolik i territorit: kisha, administrata dhe kujtesa historike

Politika e riemërtimit nuk ishte një fenomen i izoluar, por pjesë e një programi më të gjerë të transformimit simbolik të territorit, i cili përfshinte edhe arsimin, administratën, antroponiminë dhe institucionet fetare. Përmes këtyre mekanizmave, administrata serbe synonte jo vetëm konsolidimin e kontrollit politik mbi territorin e pushtuar, por edhe krijimin e një identiteti të ri historik e kulturor, të mbështetur mbi narrativën shtetërore serbe.
Në këtë kuadër, ndërhyrja në toponimi shoqërohej edhe me ndryshime në antroponimi, administratë, arsim dhe në organizimin e jetës fetare.
Një hap i mëtejshëm ishte ndërtimi ose theksimi i pranisë së kishave ortodokse serbe si argument për pretendimin se territori kishte qenë historikisht dhe vazhdimisht serb. Megjithatë, vetë zhvillimi historik i Kishës Ortodokse në Perandorinë Osmane ishte më kompleks sesa narrativa kombëtare serbe e shekujve XIX–XX. Miodrag Popoviq vëren se Kisha Ortodokse gëzonte autonomi fetare e kulturore nën administrimin osman, se manastiret mbroheshin përmes berateve sulltanore dhe se gjatë shekujve XVI–XVII u ndërtuan edhe kisha të reja.

Për këtë arsye, ekzistenca e monumenteve ortodokse nuk mund të përdoret automatikisht si provë e sovranitetit modern serb ose e një vazhdimësie ekskluzive kombëtare serbe mbi Kosovën (Popoviq, 2026).

Në të njëjtën linjë, politika kishtare serbe në fund të periudhës osmane ishte e lidhur ngushtë me rivalitetet kombëtare dhe gjeopolitike në Vilajetin e Kosovës dhe në Maqedoni. Raportet konsullore austro-hungareze dokumentojnë përpjekjet për forcimin e ndikimit serb nëpërmjet shkollave, eparkive dhe institucioneve fetare, përfshirë projektet për krijimin e strukturave kishtare serbe në Shkup, Rashkë–Prizren dhe Veles–Dibër (Schmitt & Frantz, 2020, pp. 59–70). Politika ruse ndaj Lindjes Ortodokse e përforconte këtë proces, duke e trajtuar Kishën Ortodokse dhe çështjen e mitropolitëve si instrumente të ndikimit politik në Ballkan (Gerd, 2014, pp. 54–60).

Toponimia si instrument i përvetësimit simbolik të territorit

Kështu, zëvendësimi i emrave Ferizaj, Üsküb (Shkup) dhe Hani i Elezit me Uroševac, Skoplje dhe Gjeneral Janković përbënte më shumë se një ndryshim formal të nomenklaturës administrative. Është domethënëse se ndër ndërhyrjet e hershme të autoriteteve pushtuese serbe në nomenklaturën e territoreve të pushtuara përfshiheshin qendra të rëndësishme të vendosura përgjatë korridorit hekurudhor që lidhte Mitrovicën dhe Shkupin me Selanikun, si Ferizaj dhe Shkupi, ndërsa Hani i Elezit ndodhej në vazhdimin jugor të kësaj hapësire strategjike komunikimi.

Serbizimi i toponimeve përgjatë një korridori me qarkullim të konsiderueshëm kishte edhe një efekt të rëndësishëm simbolik dhe perceptues: udhëtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë që përshkonin këtë linjë u paraqitej një peizazh publik dhe administrativ gjithnjë e më i koduar përmes nomenklaturës serbe, duke kontribuar në krijimin e përshtypjes së një hapësire me identitet historik dhe politik serb. Në këtë kuptim, hekurudha nuk shërbente vetëm si infrastrukturë transporti dhe komunikimi, por edhe si një korridor përgjatë të cilit bëhej veçanërisht i dukshëm transformimi simbolik i territorit pas pushtimit. Ky proces ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të përvetësimit simbolik të hapësirës: fillimisht vendosej pushteti ushtarak, më pas ndryshohej nomenklatura e vendit, institucionalizohej gjuha e pushtuesit dhe afirmoheshin simbolet e tij shtetërore e fetare, ndërsa, në planin afatgjatë, ky transformim mund të shërbente për ta paraqitur territorin e pushtuar si një hapësirë historikisht serbe.

Toponimia shndërrohej kështu në një instrument të politikës territoriale dhe të prodhimit të kujtesës, përmes së cilës administrata serbe synonte të transformonte peizazhin simbolik të territoreve të pushtuara dhe ta paraqiste aneksimin si vazhdimësi historike. Në këtë kuptim, kontrolli mbi emërtimin e hapësirës kontribuonte në ndërtimin e një sovraniteti simbolik, përmes të cilit pushtimi ushtarak synonte të shndërrohej në një pretendim të qëndrueshëm historik, politik dhe territorial.

Përfundime

Ky punim demonstron se ndryshimi i toponimeve shqiptare në territoret e pushtuara të Vilajetit të Kosovës pas vitit 1912 nuk ishte rezultat i një procesi spontan gjuhësor apo i një standardizimi administrativ, por pjesë e një politike shtetërore të serbizimit simbolik të territorit. Analiza e burimeve diplomatike austro-hungareze, hartografisë bashkëkohore, shtypit evropian dhe dokumentacionit historiografik tregon se emërtimet tradicionale vazhduan të përdoren deri në vendosjen e administratës serbe, ndërsa nomenklatura e re u institucionalizua si pjesë e konsolidimit të pushtetit në territoret e pushtuara. Rastet e Ferizajt, Shkupit dhe Hanit të Elezit dëshmojnë se riemërtimi nuk kishte vetëm funksion administrativ, por shërbente për afirmimin e autoritetit të pushtuesit, transformimin e peizazhit simbolik dhe ndërtimin e një narrative të re historike..

Duke u mbështetur në qasjen e critical toponymy, studimi argumenton se politika e toponimisë ishte një komponent i strategjisë më të gjerë të serbizimit simbolik, përmes së cilës administrata pushtuese synonte të riformësonte marrëdhënien ndërmjet territorit, identitetit dhe kujtesës historike. Në këtë kuptim, rasti i Kosovës nuk përfaqëson vetëm një episod të historisë lokale, por një shembull domethënës të përdorimit të toponimisë si instrument i pushtetit në kontekstet e pushtimit dhe të ndërtimit të shteteve kombëtare, duke e vendosur përvojën e Kosovës në debatin më të gjerë ndërkombëtar mbi politikën e emërtimit të hapësirës.

Në tekst ndër të tjera thuhet: “Në afërsi të stacionit hekurudhor të Verisović-it është grumbulluar një numër shqiptarësh, i vlerësuar rreth 3000 veta…”
Burimi: Heinrich von Zambaur, Telegramm, Mitrovica, 5. Juli 1908, HHStA (Haus-, Hof- und Staatsarchiv, Wien), Politisches Archiv (PA), XXXVIII/Kt. 386, Nr. 43, Zambaur an Aehrenthal.

ShareTweet

Postime të ngjashme

E ardhmja e marrëveshjes së Ohrit: E ardhmja jonë e përbashkët

E ardhmja e marrëveshjes së Ohrit: E ardhmja jonë e përbashkët

25 vjet nga Ohri, misioni mbetet një – ta zbatojmë Marrëveshjen

25 vjet nga Ohri, misioni mbetet një – ta zbatojmë Marrëveshjen

Çështja e Ibrit, e drejta ndërkombëtare dhe politika destruktive e Serbisë

Çështja e Ibrit, e drejta ndërkombëtare dhe politika destruktive e Serbisë

Mehmeti: Hashim Thaçi vendoste se kush do të bëhet ministër në Maqedoni nga shqiptarët

Nëse para Albinit ndihesh si pula përballë dhelprës, atëherë vezët të mbeten argumenti i vetëm politik!

Ukshini: Paqartësi për Bordin e Paqes, thyerja BE-ShBA mund të sjellin komplikime  për Kosovën

Hani i Elezit: Memorializimi i pushtimit përmes toponimisë

Arrestohet në Zveçan i dyshuari për sulm ndaj KFOR-it dhe PK-së në trazirat e vitit 2023

Arrestohet në Zveçan i dyshuari për sulm ndaj KFOR-it dhe PK-së në trazirat e vitit 2023

Kurti: Beogradi po u bën trysni të tmerrshme serbëve të Kosovës që ta votojnë Listën Serbe

Kurti thotë se po e monitorojnë nga afër gjendjen e 4 të lënduarve në Vlorë

Hamas në Egjipt kërkon zbatimin e marrëveshjes së Gazës dhe ndaljen e shkeljeve izraelite

Hamas në Egjipt kërkon zbatimin e marrëveshjes së Gazës dhe ndaljen e shkeljeve izraelite

Mehmeti-Selimi: Kushtetutën e ndërruan këta “gardianët” që ia patën shtuar nenin 162 për Gjykatën Speciale

Mehmeti-Selimi: Kushtetutën e ndërruan këta “gardianët” që ia patën shtuar nenin 162 për Gjykatën Speciale

Digjet një veturë në Gjakovë

Digjet një veturë në Gjakovë

Dogana zbulon 63 mijë e 400 euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një autobusi në Merdare

Dogana zbulon 63 mijë e 400 euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një autobusi në Merdare

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën