Kryesia dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do të mblidhen sot nga ora 11:00 në selinë qendrore të partisë.
Mbledhja vjen pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së të enjten, ka deklaruar se të gjitha format demokratike dhe ligjore do të jenë në opsion, ndërsa ka thënë se qëndrimet zyrtare të partisë do të përcaktohen pas diskutimeve.
“Ne do ta diskutojmë situatën, do ta diskutojmë detajshëm. Ne e kemi thënë, që të gjitha format demokratike dhe ligjore janë opsion. Më tutje do të diskutojmë dhe pastaj do të shohim se cilat janë qëndrimet zyrtare të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.
I pyetur nëse PDK-ja do të marrë iniciativë për zhbërjen e Gjykatës Speciale, Hamza nuk e ka përjashtuar si opsion.
“Të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme”, shtoi ai.




