Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se ky institucion ka të drejtë të hartojë dhe miratojë ligje për mbrojtjen e luftës çlirimtare. Ai ka mbrojtur ndryshimet ligjore që lidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë, duke thënë se ato synojnë garantimin e drejtësisë dhe pavarësisë nga ndikimet e jashtme.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku ka folur për ndryshimet në legjislacionin që lidhet me Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke theksuar të drejtën e Kuvendit për të ushtruar kompetencat e tij ligjore.
Nga foltorja e Kuvendit, Hamza tha se ky institucion ka të drejtën të hartojë dhe miratojë ligje që i konsideron të nevojshme për mbrojtjen e luftës çlirimtare dhe për garantimin e drejtësisë.
Ai theksoi se ndryshimet ligjore nuk janë bërë për të kënaqur palë të caktuara, por, sipas tij, për të siguruar që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime politike.
“E kemi një rezolutë, ligj të miratuar që rikthen në binarë mandatin e Dhomave të Specializuara, të cilat kanë dalë nga mandati që Kuvendi i Kosovës ua kishte besuar e dhënë para më shumë se një dekade. Ligjin nuk e kemi bërë për t’u pëlqyer, ligjin e kemi bërë për të garantuar drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i çfarëdo pale”, deklaroi Hamza.
Ai shtoi se Kosova nuk ia ka deleguar sovranitetin e saj Dhomave të Specializuara, trupave gjykues apo ndonjë institucioni tjetër, duke ritheksuar se Kuvendi ka kompetencat e veta kushtetuese dhe ligjore.
“Ky Kuvend e ka të drejtën e plotë të hartojë e miratojë çfarëdo ligji që e konsideron të rëndësishëm për të mbrojtur luftën tonë çlirimtare”, u shpreh kreu i PDK-së.
Gjatë fjalimit të tij, Hamza tha se vëmendja duhet të përqendrohet te shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë dhe te respektimi i të drejtave të njeriut, e jo te nismat ligjore të Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, çështjet që lidhen me respektimin e të drejtave të të akuzuarve duhet të trajtohen me seriozitet, duke përmendur edhe shqetësimet e ngritura nga organizata që monitorojnë të drejtat e njeriut.
“Ata duhet t’i marrin seriozisht shkeljet e të drejtave të njeriut atje, të cilat janë evidentuar edhe nga organizatat që monitorojnë të drejtat e njeriut”, tha Hamza.
Ai gjithashtu pretendoi se ekziston bazë ligjore për ndërhyrjen e Kuvendit në përcaktimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara përmes ligjit, duke iu referuar qëndrimeve që, sipas tij, janë dhënë nga vetë institucionet përkatëse.
“Aq sa i përket ligjit, edhe vetë Dhomat e Specializuara e Gjykata Kushtetuese kanë konstatuar të drejtën e Kuvendit të Kosovës për të kufizuar juridiksionin e Dhomave të Specializuara përmes ligjit dhe ky Kuvend, si institucion sovran, tashmë e ka bërë këtë”, deklaroi ai.
Hamza e cilësoi të papranueshëm çdo presion ndaj Kuvendit në ushtrimin e mandatit të tij, duke theksuar se institucionet e Kosovës duhet të kenë mundësi t’i ushtrojnë kompetencat e tyre pa ndërhyrje.
Kreu i PDK-së foli edhe për afatin ligjor që, sipas tij, përfundon sot për procedimin e ligjit për dekretim te Presidentja e Kosovës.
Ai shprehu pritjen që Presidentja ta dekretojë ligjin pa vonesa.
“Besoj se Presidentja do ta dekretojë pa vonesa”, tha Hamza.
Në fund të fjalimit, ai bëri thirrje për përgjegjësi më të gjerë politike dhe kombëtare lidhur me çështjet që po trajtohen në Hagë, duke theksuar se kjo çështje nuk duhet të shihet vetëm nga këndvështrimi partiak.
“Është përgjegjësi për ata breza që trashëgojnë lirinë. Na takon të gjithëve, pa dallime partiake”, përfundoi Hamza.







