Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se është optimist për verdiktin final ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili pritet të shpallet nesër në Hagë.
Në një lidhje direkte në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Gucati tha se beson në drejtësi dhe se, sipas tij, akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk kanë qenë të bazuara në fakte dhe argumente të mjaftueshme.
“Jam optimist që ata do të lirohen. Duke parë të gjitha ato akuza që ka ngritur kjo gjykatë, të cilat kanë qenë të pabazuara dhe të padokumentuara, unë besoj fuqishëm në drejtësi. Shpresoj që nesër, rreth orës 1 apo edhe para orës 1, gjithçka të përfundojë në të mirën tonë. Bashkë me ju dhe qytetarët e Kosovës do të festojmë dhe do të kthehemi bashkë në Prishtinë”, ka thënë Gucati.
Ai e ka cilësuar si të mundshme që Gjykata Speciale të ketë karakter politik, duke theksuar se pret që vendimi i nesërm të jetë në favor të ish-krerëve të UÇK-së.
“Nuk ka fakt dhe argument, dhe nuk ka gjykatë në botë që mund të dënojë me këto parapravi që ka bërë kjo gjykatë. Mund të jetë gjykatë politike”, është shprehur Gucati.
I pyetur se si është të kalohet një natë në pritje të aktgjykimit në Hagë, duke qenë se edhe vetë e ka përjetuar një situatë të tillë, Gucati tha se pritja është e vështirë dhe se çdo minutë e sekondë duket e gjatë.
“Një natë është shumë e rëndë dhe shumë e zgjatur. Jo vetëm orët, por edhe minutat e sekondat llogariten. Është një natë e vështirë, por kur e pret me zemër, kjo natë është shumë e gjatë. Shpresoj që këtë natë ta kalojmë bashkërisht me optimizëm të madh”, ka deklaruar Gucati.







