Grupi iniciues në Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok po kërkon që mbledhja e nënshkrimeve për peticionin që i hap rrugë shkarkimit të kryetarëve veriorë të bëhet në sallë sporti. E kryesuesit e kuvendeve komunale konfirmojnë se mbledhja për aprovimin e kërkesës, mbahet të hënën.
Kërkesa për shkarkim të kryetarëve në katër komunat veriore është dorëzuar.
E edhe lokacioni për mbledhjen e nënshkrimeve është vendosur.
Grupi iniciues në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, kanë kërkuar nga kuvendet komunale që për mbledhje të nënshkrimeve të shfrytëzohen sallat e sportit.
E për aprovimin e kërkesës së grupeve iniciuese, të hënën do të thirret një mbledhje.
“Dje pasdite e kam pranuar emalin nga grupi iniciues, ne të hënën me datë 15.01 do të marrim vendim me delegatët sepse kuvendi do të merr vendimin për shfrytëzimin e sallës kjo sallë është nga fondi evropian e ndërtuar, është edhe për shfrytëzim për peticion për qytetarë, por kuvendi do të vendos sipas kërkesës së grupit iniciues për shfrytëzimin e sallës për mbledhjen e peticionit për shkarkimin e kryetarit”, tha kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin.
Se të hënën do të caktohet lokacioni i mbledhjes së nënshkrimeve e ka konfirmuar për Tëvë1 edhe kryesuesi i kuvendit komunal në Zubin Potok, Vedat Mehmeti.
Ndërsa, nga komuna e Zveçanit nuk kanë konfirmuar një gjë të tillë.
E një qytetar serb thotë se do ta nënshkruajë peticionin.
“Sigurisht ai është i mençur, sa e njoh unë familjen Atiq. Ata janë njerëz të ndershëm, vetë duhet të jap dorëheqje. Unë personalisht i njoh, ai duhet të jap dorëheqje, dhe të qeverisin ata që janë shumicë”, u shpreh qytetari.
Kurse gazetari serb, Branislav Kërstiq vlerëson se me fillimin e procedurave për shkarkimin e kryetarëve, po zbatohet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.
“Sipas asaj që e dimë, nga burimet, Conflict Menagment Grup, për Kosovë, më lehtë është që presidentja të merr vendim për shkarkimin e kryetarëve të veriut të vendit, sepse mu më duket që në bazë ditore, kemi implementimin e aneksit të Ohrit, kur flasim për targat, gazivodën, për valacin, për pagesat për rrymë”, tha ai.
Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.
Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.
Kronikë e realizuar nga gazetari, Venhar Isufi.