Një grup kriminal ndërkombëtar është goditur në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka njoftuar se gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro.
Po ashtu, në kuadër të operacionit janë arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në grup të organizuar kriminal, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Sveçla ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, duke theksuar se angazhimi për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve do të vazhdojë të intensifikohet.
“Republika e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë zonë e sigurt për kriminelët, e as për aktivitetet që cenojnë sigurinë e vendit, shëndetin dhe mirëqenien e rinisë dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka theksuar se institucionet e vendit do të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve./teve1.info/








