Gjykata në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, , i cili u arrestua më 26 nëntor në pikëkalimin kufitar në Merdarë, gjatë transitit drejt Bosnjë e Hercegovinës. Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, duke akuzuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për mungesë presioni diplomatik ndaj Serbisë.
Sipas Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, ish-pjesëtari është nga fshati Romajë i Prizrenit dhe ka shërbyer në brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare gjatë luftës së vitit 1999. Ai u mbajt fillimisht për 48 orë në Prokuplje dhe më pas u transferua në Beograd, ku më 28 nëntor u paraqit para gjykatësit të procedurës paraprake.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar paraburgimin dhe ka theksuar se rasti paraqet vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike të qytetarëve të Kosovës.
“Ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht,” thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Ministria po ashtu bëri të ditur se Qenaj ka raportuar presion psikologjik gjatë arrestimit, por pa keqtrajtim fizik. “Z. Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit,” thuhet në komunikatë.
Sipas MPJ-së, Zyrja Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi po e monitoron nga afër rastin dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për të mbrojtur të drejtat e Qenajt.
“Në kuadër të këtij angazhimi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, dje ka vizituar z. Qenaj në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ku i ka ofruar mbështetjen e plotë institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës,” ka bërë të ditur MPJ.
Qenaj, sipas MPJ-së, ende nuk është vizituar nga familjarët, por pret ta takojë familjen në ditët në vijim. Familja e tij ka angazhuar katër avokatë për mbrojtjen ligjore.
Ndërkohë, avokati i tij ka kritikuar institucionet e Kosovës duke kërkuar më shumë angazhim diplomatik për lirimin e klientit të tij.
Rasti i Qenajt është një nga disa arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga autoritetet serbe vitet e fundit, të cilat institucionet e Kosovës dhe organizatat e veteranëve i konsiderojnë si të motivuara politikisht.
Ish-pjesëtarit të UÇK-së i caktohen 30 ditë paraburgim në Beograd, avokati kritikon edhe Qeverinë










