Gjykata Evropiane e Auditorëve (ECA) ka konstatuar se progresi në integrimin e rrjetit të transportit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian po zhvillohet me ritëm të ngadaltë, ndërsa ka veçuar edhe problemet serioze në projektin hekurudhor në Kosovë.
Në raportin e saj të publikuar të martën, ECA vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor rrezikojnë të mos arrijnë objektivin për përfundimin e rrjetit kryesor të transportit evropian deri në vitin 2030, për shkak të vonesave në zbatim, përzgjedhjes së papjekur të projekteve dhe mangësive në monitorim.
Sipas auditorëve evropianë, në Kosovë kushtet e infrastrukturës hekurudhore në kohën e auditimit ishin më të këqija sesa para fillimit të projektit.
Sipas tyre, trafiku hekurudhor (Linja Hekurudhore 10 në Kosovë, e cila shtrihet nga Hani i Elezit përmes Fushë Kosovës e deri në Leshak), është ndërprerë që nga viti 2020, pasi disa tunele u shembën gjatë kryerjes së punimeve.
Raporti thekson gjithashtu se nuk ka ende një afat të parashikueshëm për nisjen e punimeve në pjesën veriore të Kosovës.
Po ashtu sipas raportit, në qershor të vitit 2025, sinjalizimi dhe elektrifikimi i linjës hekurudhore nuk ishin ende të vendosura.
“Në Kosovë, kushtet hekurudhore në kohën e auditimit ishin më të këqija se para fillimit të projektit. Trafiku është ndërprerë që nga viti 2020 sepse disa tunele u shembën gjatë punimeve. Përveç kësaj, nuk ka një datë të parashikueshme fillimi për punimet në pjesën veriore të Kosovës. Në kohën e auditimit (qershor 2025), sinjalizimi dhe elektrifikimi nuk ishin ende në vend”, thuhet në raportin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve (ECA)
ECA vlerëson se Komisioni Evropian ka financuar me mbi 500 milionë euro projekte të transportit në rajon përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), por rezultatet janë penguar nga vonesat e shumta dhe problemet e zbatimit.
“Projektet e transportit në Ballkanin Perëndimor po përparojnë shumë ngadalë për ta lidhur rajonin me BE-në brenda kësaj dekade”, deklaroi anëtarja e ECA-së përgjegjëse për raportin, Laima Andrikienė.
Auditorët gjetën se projektet e financuara nga BE-ja zakonisht nisnin me vonesa mesatare prej 17 muajsh, ndërsa shumë prej tyre përballeshin me shtyrje shtesë që kalonin dy vjet.
Raporti ngre shqetësime edhe për qëndrueshmërinë e investimeve. Në disa raste, projektet përballen me mungesë fondesh për vazhdimin e investimeve dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës, ndërsa janë evidentuar edhe raste ku infrastruktura e ndërtuar nuk është funksionale ose nuk lidhet me segmentet përkatëse të rrjetit.
ECA përfundon se, megjithëse projektet e WBIF-së janë në përputhje me prioritetet e lidhshmërisë së BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ritmi aktual i zbatimit e bën të vështirë arritjen e standardeve të plota të rrjetit evropian të transportit deri në vitin 2030.
Raporti i ECA: Kosova dhe Shqipëria rrezikojnë të mbeten prapa objektivave të BE-së për rrjetin transportues deri në vitin 2030
Një raport i ri i Gjykatës Evropiane të Auditorëve (ECA) vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, rrezikojnë të mos arrijnë afatin e vitit 2030 për integrimin e plotë në rrjetin bazë evropian të transportit, për shkak të vonesave në zbatim dhe problemeve operacionale.
Sipas raportit, Bashkimi Evropian ka investuar qindra miliona euro përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me qëllim përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore ndërmjet vendeve të rajonit dhe BE-së. Nga viti 2015 deri në mesin e vitit 2025, Komisioni Evropian ka ndarë 527 milionë euro për projekte transporti në rajon.
Auditorët evropianë konstatojnë se shumë projekte kanë nisur me vonesa mesatare prej 17 muajsh, ndërsa gjatë zbatimit janë përballur me shtyrje shtesë që në disa raste kanë kaluar dy vjet.
Sipas tyre, procesi i përzgjedhjes së projekteve ka pasur mangësi, veçanërisht për shkak se shumë prej tyre nuk kanë qenë mjaftueshëm të përgatitura për zbatim.
Raporti shqyrtoi 12 projekte transporti në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, me vlerë totale prej 341.6 milionë eurosh.
Edhe pse projektet ishin në përputhje me prioritetet e lidhshmërisë së BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, progresi drejt përmbushjes së standardeve të rrjetit evropian konsiderohet i ngadalshëm.
ECA vëren gjithashtu probleme lidhur me qëndrueshmërinë e investimeve.
Në disa raste janë evidentuar mungesa fondesh për mirëmbajtje, infrastrukturë e papërfunduar dhe projekte që nuk kanë arritur rezultatet e pritshme.
Auditorët përmendin raste ku linjat hekurudhore përfundonin në kufi ose ku infrastruktura e ndërtuar nuk ishte funksionale në tërësi.
Sipas anëtares së ECA-së, Laima Andrikienė, infrastruktura moderne është një element i rëndësishëm i procesit të zgjerimit të BE-së, por ritmi aktual i realizimit të projekteve nuk është i mjaftueshëm që Ballkani Perëndimor të lidhet plotësisht me rrjetin evropian të transportit brenda kësaj dekade.
Raporti rekomandon që Komisioni Evropian të forcojë përzgjedhjen, monitorimin dhe mbikëqyrjen e projekteve, si dhe të sigurojë që investimet e financuara nga BE-ja të jenë më të qëndrueshme dhe më të dukshme për qytetarët e rajonit.







