Duke e thumbuar kombëtaren e Izraelit për gjendjen e fushës, por edhe duke diskutuar mungesat e ardhjen e re te Kosova, përzgjedhësi Franco Foda, në konferencën me gazetarët foli në detaje për duelin e së shtunës.
Duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” Kosova të shtunën e pret Izraelin, në duelin e xhiros së pestë të grupit B#, në Ligën e Kombeve.
Kjo ndeshje është e rëndësisë së lartë për “Dardanët” që synojnë ta ruajnë vendin e dytë në grup dhe të presin në gabime nga ndeshja tjetër e rivalëve të grupit, Austria – Irlanda.
Tri vjet më parë, në humbjen e Izraelit nga Kosova në Prishtinë, kjo kombëtare ishte ankuar në gjendjen e fushës, e njëjtë edhe të premten në konferencën për gazetarë, trajneri i kësaj kombëtareje u ankua sërish.
Por Foda i cili doli para gazetarëve bashkë me Dion Gallapenin, ka thënë se tani nuk ka asnjë arsye për t’u ankuar lidhur me fushën.
“Fusha është në gjendje shumë të mirë. Ne jemi përgatitur dje dhe ka përmirësime të mëdha në fushë. Kështu që kësaj radhe nuk kanë pese të ankohen izraelitët”
Trajneri gjerman megjithatë e ka vlerësuar rivalin e së shtunës, duke thënë se të gjitha ndeshjet e këtij grupi ishin të ngushta.
“Izraeli ka ekip të mirë dhe të përgatitur mirë. Ndeshjet e kaluara ishin me rezultat të ngushtë. Të gjitha ndeshjet ishin të tilla. Jemi të gatshëm për ndeshjen ndaj Izraelit. Kemi mungesa por kemi mjaftueshëm lojtarë në dispozicion”
Por Foda nuk ka zbuluar asgjë rreth formacionit të Kosovës nesër, megjithë mungesat.
“Përbërja e ekipit nuk varet nga mungesat apo lëndimet. Do t’i analizojmë të gjitha opsionet, i kemi disa ide të qarta dhe sipas atyre ideve i marrim vendimet. Se kush do të luajë do ta shihni nesër. Të gjithë lojtarët e rinj që kanë ardhur qoftë Kamberi, Enisi apo Kurtulushi, na kanë lënë përshtypje të mirë. Mund të ndodh qe ndonjëri prej tyre të jetë ne formacion”
Foda foli edhe për Lutfi Dalipin, ardhjen e re te Kosova, për të cilin tha se ishin në kontakt të gjatë dhe janë të lumtur për zgjedhjen e tij.
Kosova e ka edhe një ndeshje me Irlandën, të martën e ardhshme, por fitorja ndaj Izraelit e konsolidon atë në vendin e dytë. Aktualisht Kosova ka pesë pikë në renditje, po aq sa ka edhe Irlanda e treta, derisa Izraeli ëhstë i fundit me vetëm 2 pikë. Austria i prin grupit B3, me tetë pikë, kur kanë mbetur të luhen edhe nga dy ndeshje në grup.










