Autobusi i cili po barte udhëtarët nga Kosova për në Austri ishte i kompanisë “Armend Tours”, ku në lidhje me rastin për Teve1.info ka folur menaxheri i shitjeve të kësaj kompanie, Olsi Gjoshi.
Gjoshi ka thënë se pronari i kompanisë “Armend Tours” është nisur për në Austri, teksa ka thënë se nuk mund të japin detaje shtesë pa u bërë ekzaminimi i situatës.
“Pronari i kompanisë është nis për të shkuar në Austri dhe ne si kompani nuk mund të japim asnjë info shtesë pa u bërë ekzaminimi i situatës dhe të marrim edhe ne një informacion të saktë”, tha ai.
Sipas tij, të gjithë pasagjerët janë shkuar për në Gjermani në qytetet përkatëse me autobus tjetër.
“Të gjithë pasagjeret janë shkuar në Gjermani në qytetet përkatëse me autobus tjetër, 3 nga ata janë në spital që kanë lëndime të lehta trupore”, ka potencuar Gjoshi për Tëvë1.
Theksojmë se pas aksidentit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se tetë persona kanë marrë lëndime në këtë aksident.
Sipas MPJD-së pas trajtimit mjekësor, shtatë të lënduar janë liruar, ndërsa një person vazhdon të mbahet për trajtim në Spitalin e Salzburgut.
“Ambasadori i Kosovës në Austri, z.Lulzim Pllana, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke ofruar mbështetjen e ambasadës tonë për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre. Në Spitalin e Salzburgut, ndihmë mjekësore kanë kërkuar tetë persona, dhe pas trajtimit, shtatë prej tyre janë liruar, derisa një person vazhdon të mbahet për trajtim në këtë spital”, thuhet ndër tjerash në njoftim. /teve1.info/







