Ka nisur një orë me vonesë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, për legjislaturën e nëntë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kjo seancë po drejtohet nga deputeti më i vjetër dhe deputeti më i ri në moshë, e që janë Avni Dehari e Sala Jashari.
Në rend dite të kësaj seance janë këto pika: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, Betimi i deputetëve, Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Si parti fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin, i cili zgjidhet me 61 vota.
Po 61 vota nevojiten për votimin e Qeverisë së re, nëse del në votim.