Pesë euro është shuma që qytetarët duhet të paguajnë për vizitë në Qendrat e Mjekësisë Familjare jashtë zonës së tyre të banimit. Ata thonë se kjo shumë është e lartë dhe po kërkojnë që të ndryshohet. Taksë problematike e konsiderojnë edhe nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë. Ndërkaq, QKMF-ja në Prishtinë thotë se ka dërguar shkresa për sqarime dhe korrigjime të udhëzimit administrativ në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Me përjashtim të rasteve emergjente, qytetarët që kërkojnë shërbime në institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor [KPSH] jashtë zonës së banimit të caktuar nga institucionet përkatës…”, thuhet në udhëzimin administrativ për Bashkë pagesat e shërbimeve shëndetësore të MSH-së.
Bedri Jahja, banor i Prishtinës, thotë se kjo pagesë është e padrejtë.
“Nuk më duket e drejtë. Populli diku duhet të ndalet. Ndalu aty, ndalu aty, nga 5 euro, bëhet shumë. Të kishim pasur standard më të lartë ndryshe do të ishte. Por, standardin e kemi të ulët. Ministria e Shëndetësisë është e padrejtë në këtë rast, sepse populli kur është në telashe ai duhet të shkojë të kontrollohet diku”, thotë Jahja.
Qytetari tjetër, Gani Canolli shprehet se pagesa në këtë rast do të duhej të ishte më së shumti 3 euro.
“Mendoj që ata qytetarë që e kanë lagjen e tyre, ambulanten, nuk kanë nevojë të vijnë diku tjetër. Mirëpo, në raste emergjente ose në raste kur dikush është mysafir diku dhe i ndodhë diçka të sëmuret ose nuk është në gjendje të mirë. Mendoj se ai duhet të lirohet [nga pagesa]. Secili në lagjen e vet, ku është i regjistruar, aty edhe mundet t’i marrë shërbimet mjekësore. 5 euro mendoj se është tepër, është dashur 3 euro, maksimumi 3 euro, jo 5 sepse në këto kushte, në këtë standard që ne e kemi në Kosovë, pagat që merren në Kosovë, nuk i plotësojnë të gjitha mundësitë edhe te mjeku edhe ushqimet dhe shpenzimet ditore”, potencon Canolli.
Njëjtë shprehet edhe Senad Ejupi.
“Më mirë të ishte më pak [më lirë] po s’ke çfarë i bënë tash, siç e kanë vendosur”, shprehet Ejupi.
Lidhur me këtë pikë të udhëzimit administrativ, kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra thotë se kjo taksë do të duhej të ishte vetëm për qytetarët që kërkojnë shërbim jashtë komunës së tyre.
“Ministria e Shëndetësisë ende nuk e ka përfunduar procesin e përzgjedhjes së mjekut familjar. Përderisa pacientët nuk kanë mjek familjar të përzgjedhur, ata lëvizin brenda komunës nga një qendër një tjetrën dhe goxha e vështirë për të ditur se një pacient cilës qendër i takon. Prandaj, vendosja e një takse 5 euro brenda komunës është problematike të ndodhë. Unë mund të pajtohem plotësisht me MSH-në nëse një taksë e tillë do të vlente për qytetarët e një komune tjetër. Për shkak se buxheti për ata qytetarë paguhet në atë qendër të asaj komune. Brenda një komune është shumë problematike të vendoset, përderisa nuk kryhet procesi i përzgjedhjes së mjekut familjar”, thotë Kodra.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Bujar Gashi thekson se kanë marrë ankesa dhe kërkesa për sqarim nga qytetarët lidhur me pikat e udhëzimit administrativ.
“Secili udhëzim administrativ mund të ketë të mirat dhe mangësitë e veta, siç mund t’i ketë edhe ky udhëzim administrativ që është tani. Kjo është njëra prej sfidave që edhe ne si institucione ose si përgjegjës të institucioneve në Prishtinë në kujdesin parësor jemi përballë më ankesa dhe kërkesa për sqarime prej qytetarëve. Është një masë në pikën shtatë e cila normalisht pacientëve ose qytetarëve të cilët dalin jashtë zonave të banimit për të marrë shërbime, i penalizon me një pagesë prej 5 eurove. Udhëzimi administrativ për kujdesin parësor shëndetësor 04.2020 e qartëson shumë mirë zonimin ose ndarjen e qyteteve ose komunave mes vete por edhe zonimin brenda komunave”, thotë Gashi.
Ndryshimi i vlerës së kësaj pagese, thotë Gashi, ka shkaktuar shqetësim tek pacientët.
Por, sipas tij, nuk ka masë penalizuese, por vetëdijësuese.
“Me anë të udhëzimit administrativ mundësohet që të koordinohet puna që këta qytetarë të marrin shërbime në zonat e tyre. Kjo pikë nënkupton dy kuptime. Zonë mund të quhet edhe komplet qyteti ose komplet komuna. Mirëpo, edhe komunat brenda pjesës së vet i kanë të ndara në zona. Edhe pacientët të cilët mund të vijnë prej qyteteve të tjera, i takon që kanë ardhur prej një zone ose komune tjetër dhe ata do të paguajnë 5 euro, në vend të 1 euro ose 2 euro – sa është shërbimi aktual. Kjo normalisht ka shkaktuar pak shqetësim tek qytetarët. Ne e kemi ngritur edhe si institucion, kemi dërguar shkresa për sqarime ose për korrigjime shtesë të udhëzimit administrativ që besoj në të ardhmen do të ketë sqarime shtesë. Mendoj se është masë vetëdijësuese, nuk është penalizuese apo kufizuese”, thotë Gashi.
Udhëzimi administrativ nr. 03/2024 “Bashkë pagesat për shërbimet shëndetësore” ka hyrë në fuqi në vitin vitit 2024.
Ndërkaq pagesa për shërbime brenda zonës së banimit është 1 euro./kp