Një fluks i madh qytetarësh iu shtuan së fundmi Klinikës Infektive.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shumë persona kërkuan ndihmë nën dyshimin se janë helmuar nga ushqimi.
Siç mësoi fillimisht televizioni, 26 persona kanë marrë trajtim pas konsumimit të sanduiçëve në lokalin “Sach Pizza” në kryeqytet.
Por nga të dhënat e QKUK-së, ky numër tashmë është rritur në 70.
“Klinika Infektive në QKUK, njofton opinionin publik se, duke filluar nga dita e premte, më 10.07.2026, në klinikë kanë filluar të paraqiten pacientë me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi. Pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore me ankesa si ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diare. Sipas anamnezës së marrë, simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit. Nga data 10.07.2026 deri më 13.07.2026, në Klinikën Infektive ndihmë mjekësore kanë kërkuar rreth 70 pacientë. Prej tyre, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm”, kanw njoftura nga QKUK.
Fundjavën e kaloi në shtretërit e Klinikës Infektive.
Kështu 22 vjeçari dyshohet që disa orë pasi konsumoi ushqim në një nga pikat e ‘’Sach Pizza’’ në Prishtinë, përfundoi në këtë gjendje.
E si ky përfunduan edhe shumë qytetarë të tjerë të cilët dyshohet se u helmuan nga ushqimi i po këtij biznesi.
Mirëpo për orët e vështira që kaloi ky i fundit, ka treguar për tëvë1 nëna e tij.
“Pas atyre dy sandviçave, simptomat kanë filluar në orët e vona të mbrëmjes. Nuk ka konsumuar diçka tjetër. Në mbrëmje kur kanë marrë me honger bashkë me shokët, të tjerët nuk kanë qenë të infektuar në një vend tjetër. Domethënë te djali kanë filluar simptomat vetëm kjo që ka konsumuar në “Sach Pizza”. Simptomat kanë qenë shumë të mëdha, temperaturë shumë e lartë. Edhe ka qenë tension shumë i ulët i zemrës, puls shumë i shpejtë. Fillimisht nuk ka pasur domethënë të vjella, as barkqitje. Barkqitja ka filluar shumë më vonë, por është dita e tretë edhe barkqitja nuk po ndalet fare. Temperatura është shumë e lartë. Kështu që, edhe kardiologu e ka vizituar edhe ka ardh në përfundim që është tipik rasti i helmimit. Ne nuk e kemi ditur pikërisht çfarë mundet me qenë prej “Sach Pizza”-s, por gjithë po i kanë simptomat dhe të shtruarit e tjerë po thonë që të ngjashme edhe që kanë konsumuar ushqim në të njëjtin vend”, u shpreh Kryeziu.
Kryeziu thotë se gjendja u përkeqësua me shpejtësi dhe kërkon që rasti të zbardhet.
“Aq ka qenë e pashmangshme sa që tensioni i zemrës i shkoi në 35, një fëmijë i shëndoshë, 22 vjeçar. Që në vendin e punës ka porositur ushqim në “Sach Pizza”. Dhe pikërisht atë ditë i kishte ngrënë dy sendviça. Po i shohim edhe komentet e njerëzve që thonë pse s’po hanë në shtëpi. Ne e dimë që sa është puna e ngarkuar, ritmi i shpejtë, kur je në vend të punës, natyrisht që duhesh me porosit diku edhe me ngrënë ushqim. Fatmirësisht që ekzistojnë këto vende, po në një shtet i pavarur, demokratik dhe sovran, siç pretendohet, udhëheqësit tanë në përgjithësi, kushdo që të jenë ata, duhen me na siguru edhe me qenë pa frikë se ku po jetojmë, çka po pijmë edhe çka po hamë. E jo me u frikësu e mos me mund në vend të punës me u ushqy”, ka thwnw tutje Kryeziu.
E rasti tashmë ka kaluar edhe në duart e organeve të drejtësisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se ka nisur veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e këtij rasti.
“Referuar kerkeses suaj, ju njoftojme se Prokuroria Themelore ne Prishtine, ka pranuar informacione lidhur me helmimin e disa personave. Prokurori i shtetit, eshte duke ndermarre te gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me kete rast. Per cdo zhvillim rreth kesaj ceshtje ju njoftojme me kohe”, ka njoftuar Prokuroria Themelore nw Prishtinw.
Por, çfarë mund të shkaktojë helmime të tilla?
“Helmimet që po bëhen, edhe rastin tash po e shohim, helmimet që po bëhen sidomos gjatë kohës së verës, është raste që kontaminohen nga mikroorganizma të ndryshëm. Mund të qenë viruse, mund të qenë parazitë, mund të qenë baktere të ndryshme. Kuptohet kjo, kjo gjetet me anë të analizave mikrobiologjike që bëhen. Andaj, pra në pika të shkurtra, duhet me pasur parasysh mënyra e përgatitjes, sidomos te mishi, edhe të bëhet ruajtja e duhur. Temperaturat të jetë adekuate, në soja, në salca, në sosa, në mishra të bëhet adekuate, edhe të shërbehet në mënyrë të pastërt e mirë. Higjiena gjithashtu duhet me luajtur rol. Punëtorët, edhe anëtarët e familjes ku përgatitet ushqimi duhet të kenë higjienë, t’i pastrojnë duart para përgatitjes, t’i pastrojnë pas përgatitjes. Me enë të njëjta, me pajisjet që përgatitet mishi në këtë rast, mos të bëhet dy here”, theksoj Rexhepi.
Televizioni gjatë ditës ka tentuar që të bjerë në kontakt me menaxhmentin e biznesit në fjalë por këta të fundit kanë qenë të paqasshëm.
E poashtu edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë tëvë1 ka dërguar pyetje lidhur me inspektimet nëpër biznese por deri në publikimin e kronikës nuk kemi marrë përgjigje.






