Nesër bëhen një javë që Rexhep Hoti dhe Gyveni Azemi janë arrestuar nga Serbia derisa ishin duke siguruar drunj në pyllin afër pikës kufitare në Merdarë. Sipas nënës së 27 vjeçarit, Razie Hoti, dy të rinjtë dolën për të siguruar bukën për familjen pasi kushtet financiare i kanë të vështira. Ajo thotë se nuk din asgjë për fatin e tyre pasi vetëm një herë i ka parë në anën e Serbisë. Se ku janë ata nuk e dinë as institucionet e Kosovës dhe sot kanë kërkuar përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi më shumë informacione.
“Prej të mërkurës se di ku është, as a ka hëngër a ka pi a çka u bo me to”.
Kështu e nis rrëfimin Razie Hoti nga komuna e Podujevës për arrestimin e djalit të saj.
Para gjashtë dite, djali i saj 27 vjeçar dhe djali i motrës 22 vjeçar u arrestuan nga Serbia në një pyll derisa dolën për të siguruar drunj.
E vendi ku u arrestuan dy të rinjtë kosovar nga Llapi është 1 km larg kufirit të Merdares.
Sipas familjes, autoritetet serbe i kanë lajmëruar që i kanë arrestuar ata dhe kanë kërkuar dokumentet identifikuese të të rinjve.
Nëna e 27 vjeçarit tregon se vetëm një herë i kanë parë fëmijët e tyre pasi financiarisht nuk janë mirë.
Ajo kërkon nga njerëzit ndihmë për të mundësuar takimin e ardhshëm me ta.
E për rastin, detaje nga Qeveria e Serbisë kanë kërkuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Në lidhje me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, i ka dërguar tashmë Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë kërkesë formale për ta konfirmuar rastin si dhe ofruar detajet tjera relevante, përfshire identitetin e personave të arrestuar si dhe lokacionin ku janë duke u mbajtur. Lidhur me këtë është i njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Beograd. Në momentin e konfirmimit, diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi do të bëjnë kërkesë zyrtare për vizitën e tyre në qendrën e paraburgimit ku janë duke u mbajtur”.
Televizioni ka kërkuar të dhëna edhe nga Policia e Kosovës për këtë rast, mirëpo të njëjtit gjatë tërë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.