Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish deputeti i kësaj partie në tri mandate, Driton Hyseni, ka bërë të ditur, të premten, se nuk kandidoi për deputet edhe në zgjedhjet e 7 qershorit, pasi angazhimi i tij politik, siç tha, do të vazhdojë në kuadër të pushtetit ekzekutiv.
Në një njoftim publik, Hyseni bëri me dije se vendimi është marrë në koordinim me kryeministrin Albin Kurti.
“Angazhimi im do të vazhdojë në kuadër të pushtetit ekzekutiv të Republikës së Kosovës, si vijimësi e rrugëtimit dhe betejave tona të përbashkëta për Kosovën”, ka shkruar ai, përcjellë KosovaPress.
Hyseni kujtoi bashkëpunimin me Kurtin që nga viti 1998, kur, sipas tij, ishin bashkë në shërbim të Zyrës së Përfaqësuesit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Adem Demaçit.
Ai falënderoi qytetarët dhe përkrahësit për mbështetjen e dhënë ndaj tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje gjatë tri proceseve zgjedhore.
“Jam përpjekur me gjithë dijen dhe mundësitë e mia që, me devotshmëri e besnikëri, t’ju përfaqësoj në Kuvendin e Republikës”, thuhet në deklaratën e tij. /







