Pas paraqitjes mbresëlënëse në FIBA Europe Cup, garën evropiane të basketbollit, Drilon Hajrizi është kandidat edhe për t’u zgjedhur edhe më i miri i javës në këtë kompeticion.
Trepça të mërkurën triumfoi 91-70 ndaj BC Batumi 2010, që ishte fitorja e tretë në kupën evropiane, derisa në këtë përballje shkëlqeu Drilon Hajrizi.
Njëri ndër basketbollistët më të mirë të vendit, ndeshjen e mbylli me 20 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime, në fitoren e tretë të mitrovicasve në FIBA Europe Cup.

Për këtë paraqitje dhe këto statistika, ai është në mesin e pesë basketbollistëve më të mirë të javës dhe kandidati kryesor për MVP të xhiros së katërt në FIBA Europe Cup.
Faqja zyrtare e garës evropiane ka të hapur anketën për të zgjedhur më të mirin e javës së katërt dhe aktualisht Drilon Hajrizi prin me përqindje të lartë votash ndaj rivalëve të tij.
Basketbollisti mitrovicas po luan me mesatare prej 11.8 pikësh për lojë, 4.8 kërcime dhe 2.8 asistime mesatarisht për ndeshje. Ai në tri ndeshjet e fundit, ndeshjen e ka mbyllë me pikë dyshifrore, por kjo ishte performanca më e mirë e tij gjatë këtij sezoni në FIBA Europe Cup.
Trepça në këtë garë është pjesë e grupit A, dhe ka tri fitore e një humbje, si skuadra e dytë në tabelë, me një pikë më pak se lideri Trier.











